Lidhje

Tre amerikanë të liruar largohen nga Irani


Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, e ka quajtur dhënien fund të sanksioneve për aktivitetin nuklear të Iranit, fillimin e një kapitulli të ri në historinë e Iranit. Pak orë përpara se diplomatët në Vjenë të njoftonin heqjen e sanksioneve, një aeroplan u nis nga Teherani drejt Zvicrës, me tre shtetas amerikanë që mbaheshin deri më tani të burgosur në Iran. Mes tyre është edhe gazetari i “Washington Post”, Jason Rezaian.

Duket se një amerikan i katërt i liruar, Nosratollah Khosravi-Roodsari, nuk ishte në avionin që u nis nga Teherani. Në një deklaratë të mëparshme,

Departamenti i Shtetit tha se "ata që donin të iknin nga Irani, janë nisur”. Edhe një student amerikan u lirua më pas, duke e çuar në pesë numrin e amerikanëve të liruar.

Udhëheqësi iranian komentoi sot pas heqjes së sanksioneve me vlerë prej miliarda dollarësh.

Gjashtë fuqitë botërore të përfshira në negociata me Iranin, ndër to edhe Shtetet e Bashkuara, morën konfirmimin nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore se Irani ka përmbushur detyrimin për të zvogëluar aftësitë drejt prodhimit të një arme bërthamore.

“Tashmë, do të duhet më shumë se vetëm një fabrikë e fshehtë që Irani t’i futet këtij proçesi. Do t’i duhej të zhvillonte një zinxhir të tërë furnizimi të fshehtë, që sipas ekspertëve nuk mund të realizohet pa u zbuluar. Pra, hapat që Irani ka ndërmarrë për të zbatuar marrëveshjen bërthamore, kanë ndryshuar rrënjësisht programin e tij bërthamor”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Disa kandidatë republikanë për president nuk janë të bindur se marrëveshja është e dobishme për sigurinë e vendit.

“Në ditën time të parë si president, kjo marrëveshje e çmendur, qesharake dhe e rrezikshme me Iranin, do të anullohet”, tha senatori republikan Marco Rubio.

Përkimi i zbatimit të marrëveshjes nga Irani me shkëmbimin e të burgosurve, krijoi reagime të mëtejshme nga kandidatët presidencialë.

“Çfarë ka arritur Irani është e pabesueshme – 150 miliardë dollarë, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht lirimin e të burgosurve. Kjo gjë duhet të ishte realizuar vite më parë, që përpara se të arrihej marrëveshja”, tha kandidati republikan Donald Trump.

Duke i paraprirë debatit të radhës së kandidatëve demokratikë, Hillary Clinton mirëpriti lirimin e të burgosurve amerikanë, por tha se ata nuk duhet të ishin arrestuar fare.

Rivali i saj, Bernie Sanders, lavdëroi përpjekjet për lirimin e amerikanëve.

Në rrugët e Nju Jorkut, marrëveshja bërthamore shikohet në mënyra të ndryshme.

“Mendoj se është gjë e mirë, për sa kohë që zbatojnë çfarë u kërkojnë Kombet e Bashkuara”, tha Rodrick Williamson, një banor i Atlantës.

“T’i besosh Iranit është budallallëk. Obama mendon se kjo do të jetë trashëgimia e tij, por mendoj se do të jetë e tillë për keq”, tha Chris Schmidt nga Nju Jorku.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu paralajmëroi se Irani nuk ka hequr dorë nga ambicia për të përftuar armë bërthamore.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, tha se zbatimi i marrëveshjes është një arritje domethënëse që reflekton mirëbesimin e të gjitha palëve.

Irani rrezikon ta humbasë frymëmarrjen ekonomike nëse inspektorët pikasin shenja se po i shmanget marrëveshjes.

Ndërkohë, sanksionet amerikane ndaj Iranit për çështje si të drejtat e njeriut, do të vazhdojnë të jenë në fuqi.

XS
SM
MD
LG