Lidhje

Iran: Sa i qëndrueshëm është sistemi politik i vendit?


Iran: Sa i qëndrueshëm është sistemi politik i vendit?
Iran: Sa i qëndrueshëm është sistemi politik i vendit?

Trazirat politike që rrethojnë presidentin Mahmoud Ahmadinejad kanë ngritur pikëpyetje rreth stabilitetit të sistemit politik të vendit, dhe nëse do të ketë ndonjë mundësi për lëvizje protestash. Analistët besojnë se ndërsa pozicioni i presidentit po dobësohet, kjo nuk do të thotë se do të ketë një ndarje fatale në hirarkinë konservatore iraniane.

Pas rizgjedhjes së tij dy vjet më parë, presidenti konservator i Iranit, Mahmoud Ahmadinejad pati një luftë për pushtet me politikanët dhe klerikët më të lartë konservator të vendit.

Megjithëse udhëheqësi i lartë suprem i Iranit Ali Khamenei dhe ndihmësit e tij siguruan që zoti Ahmadinexhad të shpallej fitues në zgjedhjet e debatueshme të 2009, ata e bënë të qartë se presidenti nuk kishte aq shumë autonomi sa ç’kishte menduar.

Analistët thonë se sistemi klerik, të paktën tani për tani, ka të ngjarë të lejojë presidentin ta kryejë deri në fund mandatin e tij në interes të stabilitetit. Por ish ambasadori i Britanisë në Iran Richard Dalton, thotë se klerikët ka të ngjarë të përkrahin një njeri më pak besnik në zgjedhjet presidenciale të 2013.

"Do të shohim dikë që do të jetë më pak populist në pikëpamjet e tij, më shumë një figurë menaxhuese e ekonomisë dhe shoqërisë dhe dikë që është më pak bombastik, që bën më pak premtime boshe."

Por ambasadori Dalton dhe ekspertë të tjerë theksojnë se problemet e zotit Ahmadinexhad nuk krijojnë me domosdo një mundësi për reforma në Iran.

"Aparatura klerike, ushtarake, qeveritare dhe e sigurisë në Iran kanë kohë që janë dedikuar për të kufizuar jo vetëm reformistët brenda këtyre strukturave por edhe çdo politikanë në rrugë apo dizident politik. Dhe kjo përqasje nuk ka ndryshuar."

Ekspertja e sigurisë Metsa Rahimi në Grupin Janusian në Londër thotë se vëzhguesit në Perëndim nuk duhet t’i shikojnë grindjet politike si dobësi apo si një mundësi për reforma.

"Irani e kishte mundësinë dy vjet më parë. Në se do të kishte ndodhur diçka këtë herë do të kishte ndodhur në fillim të vitit. Qeveria iraniane ka patur eksperiencën të kontrollojë kryengritjet masive dhe nuk do të kishte ndonjë surprizë të madhe si në Tunizi dhe Egjypt."

Ajo thotë se shumë përkrahës të rinj të Lëvizjes së Gjebër kanë treguar shenja gjatë muajve të fundit se nuk kanë më shpresë për ndryshime dramatike politike.

"Shumë të rinj në Iran, që e patën këtë shans në vitin 2009, ndjehen të lodhur nga përpjekjet që bënë për të sjellë ndryshime përmes protestave në rrugë. Dhe shumë të rinj iranianë kanë filluar të largohen nga vendi në se kanë mundësi në vend që të përpiqen për ndryshime."

Megjithëse iranianët kërkuan reforma shumë vite para fqinjëve të tyre arab, ish ambasadori Dalton thotë se suksesi i kryengritjeve në Tunizi dhe Egjipt mund të ketë një ndikim frymëzues tek protestat deri tani të pasuksesshme në Iran.

"Besoj se ka shumë në Iran që thonë - tunizianët ia dolën mbanë. Egjiptianët po ashtu. Përse nuk arritëm ne në 2009-ën? Përse të mos e provojmë përsëri? Ka thëngjij ende të ngrohtë dhe nuk mund të përjashtojmë ndezjen e zjarrit në të ardhmen."

Zoti Dalton thotë se kjo mundësi ka më shumë të ngjarë nëse ekonomia e Iranit përkeqësohet. Por ai thotë se në se çmimi i naftës vazhdon të mbetet i lartë, siç pritet, rifillimi i protestave masive në rrugët e Iranit është në rastin më të mirë një skenar teorik.

XS
SM
MD
LG