Lidhje

Rouhani: S’ka marrëveshje pa heqje sanksionesh


Irani kërkon heqjen e menjëhershme të sanksioneve, ndërsa Shtetet e Bashkuara preferojnë një proces hap pas hapi.

Presidenti iranian Hassan Rouhani, tha se Teherani nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje bërthamore me perëndimin, përderisa nuk hiqen të gjitha sanksionet ndërkombëtare.

Në një fjalim televiziv të enjten me rastin e shënimit të “Ditës kombëtare të teknologjisë bërthamore”, presidenti Rouhani, hodhi poshtë atë që ai e cilësoi si përpjekje të fuqive botërore “për të përdorur gjuhën e forcës kundër Iranit” në përpjekje për të siguruar marrëveshjen.

Irani dhe gjashtë fuqi botërore arritën javën e kaluar një marrëveshje kornizë që do të kufizojë programin bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare, por shumë hollësi duhet të sqarohen para 30 qershorit, kur skadon afati për marrëveshjen përfundimtare.

Mosmarrëveshja më e madhe mbetet ritmi i heqjes së sanksioneve. Irani kërkon që ato të hiqen menjëherë dhe përgjithmonë, ndërsa Shtetet e Bashkuara preferojnë një proces hap pas hapi.

Duke komentuar një fushë tjetër të mospajtimeve, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry tha të mërkurën vonë në programin e “PBS Newshour” se Irani duhet të jap shpjegime për aktivitetet e kaluara bërthamore para se të arrihet marrëveshja përfundimtare.

Qeveria amerikane dhe shumë nga aleatët e saj besojnë se programi bërthamor i Iranit synonte prodhimin e armëve, pavarësisht këmbënguljes së Iranit se programi ka për qëllim energjinë civile.

Irani ka refuzuar të ofrojë shpjegime mbi gjetjet e vëzhguesve të Kombeve të Bashkuara se pjesë të caktuara të programit bërthamor të Teheranit, janë për përdorime ushtarake.

XS
SM
MD
LG