Lidhje

SHBA dhe Irani në fjalimet e djeshme në OKB

  • Jeff Seldin

Zbutja e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit nuk do të ndodhë aq shpejt sa shpresohej. Si Presidenti Barack Obama edhe Presidenti iranian Hassan Rouhani folën dje në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Por në vend të gjesteve të mëdha, ajo që bota pa dje ishte një retorikë optimiste, por e rezervuar.

Presidenti iranian Hassan Rouhani, duke folur për herë të parë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, u shpreh plot shpresë rreth marrëdhënieve më të mira me Shtetet e Bashkuara.

“Ne mund të arrijmë në një pikë për të menaxhuar mosmarrëveshjet tona”.

Dhe më pas ai foli me të njëjtat fjalë si udhëheqësit iranianë në të kaluarën rreth qëndrimit të Teheranit:

“Pranimi dhe respekti për zbatimin e së drejtës për të pasuruar uranium në Iran dhe zotërimi i të drejtave të tjera që lidhen me armët bërthamore, garantojnë të vetmen rrugë”.

Fjalimi i presidetit Rouhani i bënte jehonë tonit të Presidentit Barack Obama gjatë fjalimit të tij më parë.

“Ne jemi të inkurajuar që Presidenti Rouhani mori nga populli iranian mandatin për të ndjekur një kurs më të moderuar. Pengesat mund të jenë tepër të mëdha, por unë besoj se rruga diplomatike duhet të vihet në provë”.

Fjalët e Presidentit Obama u zgjodhën me kujdes, thotë Joe Cirincione i organizatës “Ploughshares”, fondacion i angazhuar për një botë të çliruar nga kërcënimi i armëve bërthamore.

“Mendoj se presidenti amerikan qartazi po i shtrin dorën Iranit dhe shpreson për një shtrëngim duarsh”.

Dhe shpresa për këtë shtrëngim duarsh ishte e gjallë dje më parë në një drekë në OKB. Zyrtarët amerikanë thanë se një takim i tillë u ofrua, por Irani e refuzoi, duke thënë se ishte “tepër i komplikuar”.

Jessica Tuchman Mathews me fondacionin Carnegie Endowment thotë se vështirësitë nuk duhet të jenë të papritura.

“Edhe nëse zoti Rouhani gëzon tani për tani mbështetjen e udhëheqësit suprem të Iranit, ka ende shumë politikanë në Iran që do të donin ta shikonin atë të dështonte, që arritjet e tij politike dhe ekonomike të realizohen pa Shtetet e Bashkuara”.

Megjithatë, Irani ka rënë dakord të marrë masa për shtimin e besimit. Analistja e çështjeve iraniane, Geneive Abdo thotë se ky mund të jetë hapi i parë në një proces të gjatë.

“Është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara që t’i bindin iranianët se edhe ata duan ndryshime dhe përfundimin e armiqësive dhe se tani ky proces i gjatë ka filluar”.

Hapi i ardhshëm mund të vijë kur Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry të takohet me ministrin e Jashtëm iranian, Javad Zarif ndoshta për një shtrëngim duarsh dhe për takimin e nivelit më të lartë mes dy vendeve pas disa dekadash.

XS
SM
MD
LG