Lidhje

Irani mban zgjedhje presidenciale


Presidenti i ri nuk pritet të sjellë ndonjë ndryshim të dukshëm, ku pushteti i vërtetë është në duart e udhëheqësve fetarë të vendit

Iranianët po hedhin sot votat për të zgjedhur presidentin e ri që do të pasojë atë aktual Mahmoud Ahmadinejad që ka qenë në pushtet që nga viti 2005. Ndërsa ky udhëheqës që gjithmonë ka ngjallur debate lë detyrën pas dy mandateve, të paktë janë ata që mendojnë se presidenti i ri do të sjellë ndonjë ndryshim të dukshëm në Iran, ku pushteti i vërtetë është në duart e udhëheqësve fetarë të vendit.

Votuesit iranianë do të zgjedhin mes gjashtë kandidatëve, që të gjithë të miratuar nga Këshilli Suprem një organizëm me 12 anëtarë, me kompetenca pothuajse të pakufizuara.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jennifer Psaki tha dje se zgjedhjet e Iranit nuk janë demokratike, sipas standardeve ndërkombëtare.

“Siç tha Sekretari i Shtetit John Kerry, në bazë të standardeve ndërkombëtare këto zgjedhje nuk janë të lira, të drejta apo transparente. Kandidatët janë zgjedhur nga Këshilli Suprem që është i pazgjedhur dhe nuk mban përgjegjësi, megjithatë populli iranian do të bëjë një farë zgjedhjeje mes alternativave të kufizuara që ka”.

Anketat para zgjedhjeve tregojnë se asnjë nga gjashtë kandidatët nuk do të fitojë në raundin e parë të zgjedhjeve sot. Dy kandidatët që ka mundësi të konkurrojnë në balotazh pas një jave janë negociatori bërthamor Saeed Jalili dhe veterani i luftës Hassan Rowhani. Shumë e konsiderojnë Rowhanin, një teolog dhe ish-negociator bërthamor si një kandidat më të moderuar.

“Ne mendojmë se politika e jashtme e Rowhanit është më e mirë se ajo e tanishmja. Ne duam të kemi kontakte me vendet evropiane që ta nxjerrim Iranin nga dilema e të qenit i përjashtuar. Prandaj do të votojmë për Rowhanin për një të ardhme më të mirë për vendin”.

Fituesi do të përballet me problemet e përditshme të Iranit, përfshirë një ekonomi të paralizuar nga sanksionet ndërkombëtare. Por ai do të ketë fare pak ndikim tek politikat bërthamore dhe të jashtme të Iranit, që janë nën kontrollin e Udhëheqësit Suprem Ayatollah Ali Khamenei.

Raundi i fundit i bisedimeve mes Iranit dhe gjashtë fuqive perëndimore që u mbajt në prill në kryeqytetin e Kazakistanit u mbyll pa një marrëveshje, ndërsa Teherani mbetet i vendosur të vazhdojë zhvillimin e programit bërthamor. Disa iranianë e mbështesin këtë qëndrim.

“Gjashtë palët duhet ta kuptojnë dhe ta kujtojnë se ne do të vazhdojmë progranin bërthamor me të gjitha kushtet. Është e drejta jonë e patjetërsueshme. Në situatën e tanishme, gjëja më e rëndësishme është politika jo ekonomia. Nuk duhet të mendojmë për këto çështje ekonomike megjithëse tani nuk jemi në gjendje të mirë. Duhet të mendojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë”.

Analistët thonë se sunduesit autoritarë të Iranit u ofrojnë 55 milionë votuesve një shans për të shprehur disa kritika, por jo një shans për të sjellë ndryshim të vërtetë.

XS
SM
MD
LG