Lidhje

Irani dhe Arabia Saudite kundër Shtetit Islamik?

  • Scott Stearns

Arabia Saudite do të jetë një pjesë e rëndësishme e përpjekjeve të administratës Obama për të krijuar një koalicion ndërkombëtar që do të luftojë grupimin ekstremist Shteti Islamik. Irani është tashmë i përfshirë në këtë betejë, duke mbështetur një qeveri të re në Bagdad dhe duke ndihmuar në armatosjen e kurdëve. Si e balancon Uashingtoni mosbesimin e hershëm ndërmjet Teheranit dhe Riadit me bashkëpunimin jozyrtar të Iranit kundër Shtetit Islamik?

Në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik në Irak, janë sulmet ajrore amerikane ato që po mbështesin avancimin e forcave kurde.

Por, kreu i rajonit të Kurdistanit në Irak, Massoud Barzani, thotë se është Teherani që po i ndihmon kurdët në terren.

“U kërkuam miqve tanë që të armatosin forcat tona dhe të na dërgojnë armë. Republika Islamike e Iranit ishte vendi i parë që na ofroi armët e kërkuara.”

Ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif, thotë se Teherani është i hapur për një përqasje më të gjerë në përballjen me grupimin Shteti Islamik.

“Jemi të gatshëm të bisedojmë në nivel ndërkombëtar me vende të tjera dhe me komunitetin ndërkombëtar për çfarë duhet bërë në Irak, Siri, dhe në rajon.”

Ndërkohë që Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, po ndërton një koalicion ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik, përfshirja e Iranit në këtë luftë, qoftë edhe jo si pjesë e një koalicioni zyrtar, mund të krijojë një problem për Uashingtonin, thotë ish-ambasadori amerikan në Irak, Ryan Crocker.

“Mendoj se mund t’i orientojë sunitë e Irakut në një drejtim krejt të gabuar. Mund të krijojë probleme serioze në marrëdhëniet tona me Egjiptin, Arabinë Saudite, dhe shtetet e tjera të Gjirit, në një kohë kur të gjithëve na duhet të koordinohemi shumë më tepër kundër këtij rreziku të përbashkët.”

Analisti i Institutit Amerikan të Paqes, Steve Heydemann, thotë se është serioziteti i këtij kërcënimi që do të mundësojë aleanca të paimagjinuara më parë.

“Irani dhe Arabia Saudite janë kundërshtarë të ashpër për shumicën e çështjeve, dhe megjithatë e gjejnë veten të detyruar të marrin në konsideratë mundësinë e bashkëpunimit kundër një armiku që ka zgjeruar në përmasa dramatike territorin e tij të veprimit gjatë dy muajve të fundit.”

Ky avancim i grupit ekstremist ka rritur edhe shanset për një lloj të tillë bashkëpunimi, thotë profesorja e Universitetit Georgetown, Nora Bensahel.

“Nuk ka shumë gjasa që të shikojmë për shembull Shtetet e Bashkuara ose sauditët duke trumbetuar bashkëpunimin me Iranin.Por, kjo mund të çojë drejt një shkëmbimi me qetësi në prapaskenë të informacioneve të zbulimit; të atyre gjërave që duhen për të trajtuar atë që shihet si kërcënim i përbashkët, pavarësisht interesave të tjera që mund të jenë tepër të kundërta.”

Kjo është arsyeja pse shtetet e Gjirit Arab mund t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre me Iranin, thotë profesori i Universitetit Amerikan, Akbar Ahmed.

“Është e kuptueshme, pasi bëhet fjalë për një konfigurim shumë fisnor. Kjo është mënyra se si veprojnë fiset dhe klanet kur përballen me një kërcënim të përbashkët. Ata bashkohen për momentin, dhe ndoshta do ta vazhdojnë rivalitetin e tyre në forma dhe kohëra të tjera.”

Profesori Ahmed thotë se një nga shenjat më të qarta për një ulje tensionesh mes sauditëve dhe iranianëve është entuziazmi me të cilin Riadi mirëpriti qeverinë e re në Bagdad, e cila ende udhëhiqet nga shiitë të mbështetur nga Irani, por që premtojnë të përfshijnë më shumë sunitët irakianë dhe kurdët.

XS
SM
MD
LG