Irani thotë se është gati të shqyrtojë akuzat për një komplot për vrasjen e ambasadorit të Arabisë Saudite në Shtetet e Bashkuara. Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA tha sot se Ministri i Jashtëm i Iranit Ali Akbar Salehi i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara t’i paraqesin Iranit çdo dokument që kanë lidhur me çështjen.
Irani i ka mohuar akuzat dhe Udhëheqësi Suprem Ajatollah Ali Khamenei tha dje se çdo veprim i papërshtatshëm politik, apo që ka të bëjë me sigurinë, nga Shtetet e Bashkuara, lidhur me këtë çëshje, do të marrë një përgjigje vendimtare. Ai tha po ashtu se akuzat e SHBA janë një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e veta financiare dhe nga protestat brenda vendit.
Dje Presidenti iranian Mahmud Ahamdinexhad tha se iranianët janë një komb i civilizuar dhe se nuk kanë nevojë të kryejnë vrasje. Kryetarja e Komisionit të Zbulimit të Senatit, Diane Fejnshtajn, tha në një intervistë se autoritetet amerikane kanë grumbulluar fakte të mjaftueshme për të provuar përfshirjen e forcave iraniane Kud në komplot.