Lidhje

Irani në vazhdën e ndryshimeve demokratike në Lindjen e Mesme


Irani në vazhdën e ndryshimeve demokratike në Lindjen e Mesme
Irani në vazhdën e ndryshimeve demokratike në Lindjen e Mesme

Trazirat politike kanë përfshirë Lindjen e Mesme, duke rezultuar në rrëzimin e regjimeve autokratike në Egjipt dhe Tunizi dhe duke nxitur protesta edhe në Iran. Në vazhdim një analizë e ndikimit të këtyre trazirave në situatën në Iran dhe tek regjimi i këtij vendi:

Protestat anti-qeveritare nuk janë një fenomen i ri në Iran. Në vend ka pasur demonstrata periodike që nga viti 2009, pas rizgjedhjes së presidentit Mahmud Ahmadinexhad.

Por protestat e fundit po shkaktojnë probleme të reja për udhëheqjen iraniane, thonë analistët në Uashington: Si mundet që udhëheqja iraniane nga njëra anë të lavdërojë protestat në vende të tjera, duke i krahasuar me Revolucionin Islamik të Iranit, ndërsa nga ana tjetër të shtypë pa mëshirë grupet opozitare në vend?

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton vuri në dukje kohët e fundit hipokrizinë e qeverisë iraniane, siç e cilësoi ajo:

“Një regjim që gjatë 3 javëve të fundit ka përshëndetur vazhdimisht protestat në Egjipt dhe tani që i jepet mundësia t’i njohë popullit të tij të njëjtën të drejtë që kërkonte për popullin egjiptian, po tregon përsëri fytyrën e tij të vërtetë”.

Jim Philips i Fondacionit Heritage thotë se udhëheqësit iranianë duket se nuk duan ta pranojnë realitetin:

“Është një jehonë e ngjarjeve të vitit 2009, kur Lëvizja e Gjelbër u hodh në protesta kundër vjedhjes së votës. Është pak a shumë e njëjta atmosferë. Ashtu si në botën arabe, edhe në Iran ka një brez rinor që përballet me një të ardhme ekonomike të zymtë si rezultat i papunësisë së lartë, rritjes së çmimeve të ushqimeve, mungesës së kapaciteteve për strehim dhe mungesës së lirisë politike”.

Kameron Abadi i revistës Foreign Policy e cilëson si ironike sjelljen e Iranit ndaj protestave në botën arabe:

“Ndikimi i Iranit mund të rritet si rezultat i këtyre revolucioneve në vendet arabe. Por edhe vetë njerëzit në Iran kërkojnë ndryshime. Pra ky realitet kërkon nxitje të zhvillimeve në vendet fqinje, ndërkohë që regjimi shtyp protestat brenda vendit. Kjo është një politikë e dobët”.

Jim Philips thotë se Presidenti Barak Obama duhet të rishqyrtojë politikat e tij ndaj shkeljes së të drejtave të njeriut në Iran në kuadër të zhvillimeve në Lindjen e Mesme:

“Është për t’u çuditur që administrata u hodh menjëherë në mbështetje të opozitës egjiptiane, ndërkohë që bëri ç’ishte e mundur për të mos shprehur mbështetje për opozitën iraniane. Për mendimin tim mbështetja do të ishte shumë më e lehtë për Iranin dhe Libinë”.

Barbara Slavin e Këshillit Atlantik thotë se lëvizja opozitare në Iran është një zhvillim i brendshëm dhe ndikimi i Shtëpisë së Bardhë mbi të është i kufizuar. Ajo shton se qeveria iraniane mundet të përfitojë për një farë kohe nga zhvillimet në Lindjen e Mesme:

“Pa diskutim që ata përfitojnë deri diku nga rrëzimi i personazheve si Mubaraku i Egjiptit, apo Ben Ali i Tunizisë. Ata mund ta interpretojnë këtë si rrëzimi i diktatorëve që përkraheshin nga Shtetet e Bashkuara. Por dikur njerëzit në këto vende e shihnin me një farë admirimi Iranin, pasi pëlqenin qëndrimin e ashpër të Ahmadinexhadit ndaj Izraelit. Por me ardhjen në pushtet të qeverive më legjitime dhe më popullore në vendet arabe, Ahmadinexhadi nuk do t’u shërbejë më këtyre popujve si hero”.

Ajo që kërkojnë njerëzit në Lindjen e Mesme, thotë analistja Slavin dhe të tjerë, është liria politike dhe kjo mund të bëhet realitet në Iran. Por për momentin, çdo përpjekje për reforma në Iran ndeshet me shtypje të ashpër nga autoritetet.

XS
SM
MD
LG