Lidhje

Irani premton nisma të reja para bisedimeve për programin bërthamor


Irani thotë se do të ofrojë nisma të reja për bisedimet e rëndësishme mbi programin e tij bërthamor të cilat pritet të zhvillohen këtë fundjavë me fuqitë e mëdha në Stamboll. Takimet zhvillohen në një kohë kur tensionet në rajon vazhdojnë të rriten.

Uzina për pasurimin e uraniumit Fordo, e cila gjendet në thellësi të një mali 160 kilometra në jug të Teheranit do të jetë në qendër të bisedimeve këtë fundjavë.

Sipas njoftimeve të medias të cilët citojnë diplomatët, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të kërkojnë mbylljen e menjëhershme të këtij centrali. David Cliff është ekspert për armët bërthamore në organizatën jo-qeveritare, Vertic.

“Centrali është ndërtuar në fshehtësi nga iranianët dhe është zbuluar nga Përëndimi në shtator 2009. Kohët e fundit ky central ka filluar të prodhojë uranium të pasuruar”.

Në takimin që do të zhvillohet në Stamboll do të marrin pjesë pesë vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, plus Gjermania dhe Irani.

Teherani i ka hedhur poshtë akuzat e Përëndimit se po përpiqet të ndërtojë bombën bërthamore, duke insistuar se programi i pasurimit të uraniumit do të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike. Irani ka premtuar nisma të reja në bisedimet e kësaj fundjave, megjithëse nuk ka dhënë hollësi se çfarë mund të ofrojë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendour sanksione të ashpra ndaj Iranit, përfshirë ndalimin e importeve të naftës.

Analistët thonë se Teherani mund të shpresojë te një mbështetje e kufizuar nga Rusia dhe Kina. Pekini i ka bërë thirrje grupit 5 plus 1 të mbajë “një qëndrim pragmatik”. David Cliff thotë se vetë udhëheqja iraniane është e ndarë mbi këtë çështje.

“Nuk është arritur marrëveshje brenda Iranit për të vendosur për ndërtimin e menjëhershëm të bombës bërthamore apo për zhvillimin e aftësive virtuale për ndërtimin e armëve bërthamore, për të cilën ata i kanë të gjitha materialet e nevojshme, njohuritë shkencore dhe teknike në mënyrë që nëse në të ardhmen u jepet urdhër ata mund ta realizojnë”.

Nëse kjo ndodh, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë thënë se atyre nuk u mbetet zgjidhje tjetër përveç një sulmi ushtarak kundër Iranit. Analistja Andrea Berger, e cila punon në Insitutin Royal United Services në Londër, thotë se ekziston një optimizëm se diplomacia do të triumfojë.

“Në bisedimet e tanishme, asnjëri vend nuk ka thënë se ky është fundi i angazhimit me Iranin. Në fakt, programi i negociatave të le të kuptosh se vendet pjesëmarrëse shpresojnë se do të ketë bisedime të tjera në të ardhmen”.

Para bisedimeve në Stamboll, tensionet mes Përëndimit dhe Iranit janë rritur ndërkohë që sanksionet ndërkombëtare kundër Teheranit janë ashpërsuar. Në një kohë kur Përëndimi po humb durimin, Uashingtoni ka paralajmëruar se afati i diplomacisë ka një fund dhe se “të gjitha alternativat janë në tavolinë”.

XS
SM
MD
LG