Lidhje

Irani: Tre alpinistë amerikanë po hetohen për shkelje të sigurisë së Republikës Islamike

  • Edward Yeranian

Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme iraniane thotë se tre alpinistë amerikanë, të cilët janë ndaluar nga Irani që prej një viti, po hetohen për shkelje të sigurisë së Republikës Islamike. Duket se akuzat janë kundërpërgjigje ndaj kërkesës së kohëve të fundit të Shteteve të Bashkuara për lirimin e tyre të menjëhershëm.

Irani po akuzon sërish tre alpinistë të rinj amerikanë se kanë hyrë ilegalisht në vend dhe thotë se për këtë duhet të dalin para gjyqit. Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Ramin Mehmanparast, aludoi në deklaratat e mëparshme se të tre ishin “spiunë”, duke pohuar se ata mund të kenë dëmtuar “qëllimisht” sigurinë e Iranit.

Ai gjithashtu denoncoi çfarë quajti “trysni politike” dhe “dredhi të medias”, duke iu referuar demonstratave të kohëve të fundit në disa qytete amerikane dhe evropiane për lirimin e tre të rinjve. Radioja e qeverisë iraniane po ashtu citoi zotin Mehmanparast të ketë thënë se Shtetet e Bashkuara po mbajnë një “numër të konsiderueshëm” iranianësh në burgjet e veta nën akuza të “motivuara politikisht”, siç u shpreh ajo.

Në një intervistë vitin e kaluar, Presidenti Iranian Mahmud Ahmedinexhad kërkoi që Shtetet e Bashkuara “të këmbejnë” tre amerikanët me të burgosurit iranianë. Shtetet e Bashkuara kanë mohuar se po mbajnë në burg ndonjë iranian me motive “politike”.

Javën e kaluar, Presidenti amerikan Barak Obama dhe Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton i bënë thirrje Iranit të lirojë tre të rinjtë. Zonja Klinton tha se Teherani duhet “të bëjë veprimin e duhur” dhe t’i lirojë ata, si dhe quajti përvjetorin e parë të kapjes së tyre moment “tragjik”.

Nënat e tre shëtitësve, Xhosh Fatal, Shan Bauër dhe Sara Shaurd i prinë një demonstrate në Nju Jork në fund të javës për të protestuar kapjen e fëmijëve të tyre nga roje kufitare iraniane më 31 korrik 2009. Irani thotë se shëtitësit hynë në territorin e tij, por disa dëshmitarë kurdë thonë se ata u kapën në Irak. Nora Shaurd, e ëma e Sara Shaurdit, u ankua gjatë një proteste publike pranë misionint iranian në Kombet e Bashkuara në Nju Jork se zyrtarët iranianë qëllimisht nuk po përgjigjeshin:

“Kjo është misioni iranian; ambasadori iranian është diku lart atje. Ka qenë vazhdimisht shumë vështirë për ne që të flasim me ndonjë zyrtar të qeverisë iraniane, e pamundur. Nuk mbërrijmë dot më afër se kaq”.

Sindi Hiki, e ëma e Shan Bauër, u bëri një thirrje emocionale udhëheqësve iranianë, duke u kërkuar atyre “të hapin zemrat” dhe të mos veprojnë për arsye “politike”:

“Ky është arrestim i padrejtë. Ju nuk keni arsye t’i mbani fëmijët tanë. Nuk është ngritur asnjë padi kundër tyre. Çdo veprim ndaj tyre ka qënë shumë i padrejtë. Duam që të hapni zemrat, t’i lironi fëmijët tanë dhe t’i lini jashtë politikës”.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Iranit dukej se po u përgjigjej nënave përmes deklaratës së tij, duke këmbëngulur se Irani “nuk ka marrëdhënie diplomatike me Shtetet e Bashkuara”, por se të tre amerikanët “po trajtoheshin njerëzisht” dhe në përputhje me “normat ndërkombëtare”. Nënat e tri alpinistëve të rinj nuk i pranojnë këto deklarata, duke thënë se ata janë mbajtur në burg pa u paditur dhe në pamundësi për t’u konsultuar me avokatët e tyre.

XS
SM
MD
LG