Lidhje

Irani prezanton një avion bombardues pa pilot me rreze të gjatë veprimi


Ushtria iraniane bëri të njohur sot një avion të ri pa pilot, duke thënë se ai ka kapacitetin për të kryer misione me rreze të gjatë veprimi. Ushtria iraniane e tregoi sot në publik avionin, në një ceremoni ku mori pjesë edhe Presidenti Mahmud Ahmadinexhad dhe që u shfaq drejtpërdrejt në televizion.

Televizioni shtetëror iranian tha se avioni pa pilot Karrar, që do të thotë në persisht “avion goditës”, ka një rreze veprimi prej rreth 1 mijë kilometrash dhe ka kapacitetin të mbajë dy bomba 100 kilogramëshe, ose një bombë 200 kilogramëshe. Zyrtarët thanë se avioni mund të godasë objektiva në Tokë me shpejtësi të lartë.

Agjencia Associated Press citoi zotin Ahmadinexhad të ketë thënë se avioni i ri pa pilot është “ambasadori i vdekjes” për armiqtë e Iranit. Agjencia e lajmeve e studentëve iranianë e cilësoi avionin pa pilot si “avion pa pilot bombardues”. Ndërkohë, zoti Ahmadinexhad njoftoi mbrëmë se Irani synon të dërgojë astronautët e parë në hapësirë deri më 2025.

XS
SM
MD
LG