Lidhje

Analistët: Iraku rrezikon të zhytet në luftë sektare

  • Sharon Behn

Me rënien e Ramadit në duart e ekstremistëve Suni të Shtetit Islamik dhe me mundësinë që milicitë Shiite të Irakut të ngrihen në luftë kundër tyre, Uashingtoni dhe rajoni druhen se Iraku do të zhytet përsëri në luftë të përgjithshme sektare.

Bill Roggio i Revistës Long War Journal tha se milicitë po eklipsojnë forcat e sigurisë në Irak në luftën kundër Shtetit Islamik, që njihet edhe si ISIL ose ISIS.

“Mbështetja e qeverisë së Irakut tek milicitë për të drejtuar ofensivën në Ramadi nxjerr në pah dobësimin e forcave irakiane të sigurisë, si edhe ndikimin në rritje të Iranit në vend”, shkruante Roggio në revistë.

Rezultati mund të jetë një gjakderdhje masive, paralajmërojnë disa ekspertë.

Sipas organizatës Human Rights Watch, në të kaluarën milicitë në aleancë me forcat e sigurisë kanë detyruar ata që konsiderohen terroristë të ikin nga shtëpitë e tyre, i kanë rrëmbyer dhe në disa raste i kanë ekzekutuar.

“Milicitë Shiite nuk bëjnë dallim mes Shtetit Islamik dhe meshkujve të tjerë Suni dhe Sunitë e dinë një gjë të tillë”, thotë Michael Pregent, një ish-oficer i zbulimit amerikan dhe ish-këshilltar ushtarak në Irak.

Shiitët përballë Sunive

Shteti Islamik ka shumë mundësi ta përdorë këtë frikë në avantazhin e vet, duke bërë përpjekje që të bëjë për vete më shumë Suni.

“Nuk do të habitesha sikur ISIL të përpiqej ta tërhiqte vëmendjen tek forcat Shiite që luftojnë në zonnë e Ramadit në një përpjekje për të ndezur tensionet sektare, apo për të ngritur pikëpyetje për synimet e Bagdadit”, i tha Zërit të Amerikës një zyrtar amerikan i zbulimit që nuk pranoi të identifikohej.

Pregent tha se milicitë Shiite nuk po i lejojnë refugjatët Suni që të largohen nga Ramadi.

“Po shohim shenjat paralajmëruese dhe treguesit e një konflikti sektar në shkallën e atij të viteve 2005-2006, I tha Pregent Zërit të Amerikës. Por në atë kohë në Irak ishin 120 mijë ushtarë amerikanë. Sot nuk ka një forcë moderuese”.

Por Noussaibah Yunis, studiues në Projektin për Demokracinë në Lindjen e Mesme thotë se shumë gjëra do të varen nga mënyra se si do të veprojnë forcat Shiite pas asaj që ndodhi në Ramadi.

"A mund të veprojnë vetë? A mund të sillen me profesionalizëm?”

Cfarë ndodh më pas?

Zëdhënësi i Pentagonit, Col. Steve Warren tha së fundmi se Iraku kishte gabuar kur kishte përdorur hapur frazën sektare “Labaik ya Hussein” ("Jam këtu për ty, Hussein”) si emrin e koduar për operacionet e rimarrjes së qytetit të Ramadit.

“Ajo që nuk e prisnim ishte që forcat irakiane të sigurisë do të humbnin kontrollin kryesor të gjendjes së sigurisë. Tani kontrollin e kanë kryesisht, milicitë që mbështeten nga Irani”, tha Pregent.

Operacionet irakianë kundër Shtetit Islamik filluan të martën me përpjekjet për të siguruar linjat e komunikimit, kryqëzimet kryesore të rrugëve dhe territoret përreth Ramadit, si një parapërgatitje për një ofensivë të plotë.

Michael Rubin i Institutit American Enterprise i tha Zërit të Amerikës se “kundërofensiva mund të jetë sektare në disa plane”, por se ai nuk do ta ekzagjeronte perspektivën sektare.

Ai vuri në dukje se Sunitë kanë qenë viktimat kryesore të brutalitetit të Shtetit Islamik dhe se shumica e refugjatëve që po përpiqen t’i shpëtojnë dhunës, janë gjithashtu Suni.

Ramadi është vetëm 120 kilometra larg nga Bagdadi. Shumë analistë dyshojnë se objektivi tjetër i ekstremistëve Suni është që të marrin nën kontroll kryeqytetin, megjithëse mund ta destabilizojnë atë.

Por Pregent thotë se ka edhe alternativa të tjera. Për shembull, grupi Shteti Islamik mund të vendosë që të sulmojë qytete fetare Shiite si Karbala në përpjekje për të filluar një luftë sektare të përgjithshme.

Si mund të frenohet ISIL?

Irani mund të përpiqet të mbrojë ato vende të shenjta, vecanërisht në muajt në vazhdim kur mijëra pelegrinë Shiitë iranianë do të shkojnë atje gjatë Ramazanit nga 18 qershori deri në 17 korrik.

“Pa dyshim që ekziston frika se mund të ketë ndoshta jo një sulm jo i përgjithshëm ndaj Karbalës, por një incident terrorist që mund të jetë shkëndija për një luftë sektare”, tha Rubin.

Një lëvizjë e tillë do të ishte në përputhje me taktikat e grupit.

“Duke pasur parasysh vetëshpalljen e ISIL-it për nje kalifat qershorin e kaluar, nuk do të ishte befasuese që grupi të ndërmerrte një sulm madhor ose fushatë propagande për të demonstruar aftësitë e veta dhe për të tërhequr më shumë rekrutë”, tha zyrtari i zbulimit.

Ekspertja e politikës së jashtme Farhana Qazi tha se e vetmja mënyrë për të frenuar Shtetin Islamik është krijimi i një fronti të gjerë Suni-Shiitë kundër tyre.

“Është e rëndësishme që të përfshihet koalicioni i madh Suni. Një strategji rajonale kundër terrorizmit, që përfshin Iranin, është e vetmja rrugë përpara”, tha ajo.

Që nga gushti 2014, një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që përfshin shtetet kryesisht Suni të Gjirit, është përqendruar tek goditjet ajrore kundër luftëtarëve ekstremistë, me rezultate të përziera.

Sipas një deklarate nga Grupi i Përbashkët i Punës, më 19 dhe 20 maj, udhëheqës ushtarakë nga 21 vende u takuan për të diskutuar për hapat e mëtejshëm në Irak.

XS
SM
MD
LG