Lidhje

Të krishterët në Irak, luftë për mbijetesë

  • Henry Ridgwell

Udhëheqës fetarë paralajmërojnë se militantët sunitë të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri po përpiqen të kryejnë spastrim etnik në rajon. Komunitetet e lashta Yazidi kanë qenë veçanërisht në shënjestër për trajtim brutal. Shumë të krishterë gjithashtu janë larguar nga shtëpitë e tyre, duke nxitur shqetësim se fe dhe sekte që ekzistojnë prej mijëra vjetësh mund të zhduken. Por disa komunitete janë të gatshme për të luftuar.

Basima al-Safar qëndron e patrembur përballë rrezikut të militantëve të Shtetit Islamik. Muajin e kaluar, ajo u detyrua të ikte nga shtëpia e saj në qytetin e Irakut verior al-Qosh, një nga vendbanimet e krishtera më të lashta në botë. Ajo u kthye pasi forcat kurde Peshmerga zmbrapsën militantët.

"ISIS erdhi këtu dhe u përpoq të na përzinte nga shtëpia dhe vendi ynë... Ata janë të huaj në këtë vend. Njerëzit që u dëmtuan më shumë ishin të krishterët dhe jazidët."

Që prej kthimit të saj, Basima al-Safar e ka shndërruar shtëpinë e saj në një muze të trashëgimisë së krishterë irakiane. Me militantët e Shtetit Islamik vetëm pak kilometra larg, ky është një akt i guximshëm.

Kleriku Gabriel Tooma drejton manastirin e Shën Mërisë në el-Qosh.

"Për familjet që jetojnë në këtë qytet të vjetër, nuk ishte e lehtë. Nuk ishte e lehtë për ne për shkak të rrezikut, dhe ne nuk e dimë se si do të jetë e ardhmja për këtë qytet të vjetër, për kulturën e tij, historinë dhe besimin e tij fetar."

Për shumë shekuj me radhë të krishterët dhe pakicat e tjera etnike në rajon nuk janë përballur me një kërcënim kaq të madh për mbijetesë, thotë Erica Hunter e Qendrës së Krishtërimit të Lindjes dhe Ortodoks në Universitetin e Londrës.

"Padyshim në shekullin e 14-të nën sundimin e Timur Langut ose Tamerlanit, udhëheqësi i zellshëm islamik i cili erdhi nga Uzbekistani, jo nga Lindja e Mesme, dhe që spastroi etnikisht të gjithë Irakun dhe të gjithë Iranin. Ajo ishte një pikë e ulët e rëndësishme. Mendoj se ISIS arrin nivelin e Timur Langut."

Pas qytetit al-Qosh, manastiri i Shën Hormizdit daton në shekullin e 7-të. Ai i ka mbijetuar përparimit të ISIS-it. Vende të tjera kulti mund të mos jenë kaq me fat.

"Manastire, relike, ikona, të cilat janë mesjetare dhe me të vërtetë të çmuara për të gjithë trashëgiminë kulturore të Irakut, mund të jenë shkatërruar nëse shohim veprimet e mëparshme të Shtetit Islamik."

Manastiri i Shën Hormizdit ofron një pamje mahnitëse në jug drejt Mosulit dhe tani ky territor është nën kontrollin e ISIS. Luftëtarët kurdë Peshmerga thonë se do të mbrojnë qytetin al-Qosh deri në vdekje.

"Kur familjet u larguan nga al-Qosh, kishte vetëm rreth 60 njerëz të armatosur për të mbrojtur qytetin. Ditën tjetër, numri u rrit në 200, dhe shtohej gjithnjë e më shumë gjatë ditëve në vijim."

Komunitetet e krishtera që kanë rënë në duart e Shtetit Islamik janë detyruar të konvertohen në fenë islame, të paguajnë një taksë të veçantë, ose të vriten. Përsëri, Erica Hunter e Universitetit të Londrës:

"Është tepër shqetësuese që nuk u është kushtuar më shumë vëmendje dhe që krishterët lindorë të çfarëdo emërtimi, sepse ka disa grupime, janë bërë të ndihen si të braktisur nga Perëndimi."

Pakicat fetare në Irak u kanë mbijetuar persekutimeve shekullore. Ata janë të vendosur t’i rezistojnë dhe kërcënimit të fundit, sado i fuqishëm që mund të jetë.

XS
SM
MD
LG