Lidhje

BE do të dërgojë armatime për kurdët në Irak


Qeveritë e vendeve të BE-së ranë dakord të mbështesin vendimet e vendeve individuale për të armatosur luftëtarët kurdë që luftojnë kundër militantëve të grupit Shteti Islamik në Irak. Ato po ashtu ofruan mbështetje për qeverinë e re irakiane.

Në takimin e tyre të premten në Bruksel, ministrat e jashtëm të BE-së miratuan vendimet individuale të shteteve anëtare, për t'i dërguar armë kurdëve të Irakut, të cilët luftojnë kundër luftëtarëve të armatosur mirë të Shtetit Islamik. Ministrat po ashtu ranë dakord për gjetjen e mënyrave për të bllokuar shitjen e naftës nga islamikët, të cilët kontrollojnë rajone të mëdha të Irakut dhe Sirisë, përfshirë edhe fushat me naftë.

Takimi urgjent i periudhës së verës u kërkua nga Italia dhe Franca, që kanë rënë dakord tashmë që të armatosin luftëtarët kurdë.

Duke folur pas përfundimit të takimit, Ministri i Jashtëm francez Laurent Fabius shprehu kënaqësi për rezultatet.

Fabius e përshëndeti përkushtimin e BE-së për t'i çuar ndihma civilëve irakianë dhe tha se vendimi prë armatosjen e luftëtarëve kurdë ishte i rëndësishëm. Ai tha se edhe vende të tjera kanë shprehur interes për dërgimin e armëve. Nga ana e tij, Sekretari i Jashtëm britanik Philip Hammond, tha se Londra do të konsideronte në me predispozicion të veçantë një kërkesë për furnizimin me armë të forcave kurde. Ai po ashtu parashikoi se Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të miratojë një rezolutë, të kërkuar të premten më vonë nga Britania, e cila të kërcënojë me sanksione kundër atyre që financojnë, pra mbështesin kryengritjen islamike:

"Ky do të jetë një hap madhor, i cili tregon përkushtimin e komunitetit ndërkombëtar për të çrrënjosur këtë kërcënim dhe për të mbështetur qeverinë e re irakiane të luftojë ISIL-in." -tha Sekretari i Jashtëm britanik

Në fillim të javës, Bashkimi Evropian ra dakord ta shtojë ndihmën humanitare në Irak këtë vit, në rreth 23 milionë dollarë. Ministrat e Jashtme po ashtu diskutuan për situatën Ukraine dhe në Gazë.

XS
SM
MD
LG