Lidhje

Gjendja në Irak


Destruction in Kobani after five moths of ISIS attacks

Destruction in Kobani after five moths of ISIS attacks

Grupi ekstremist Shteti Islamik ka treguar se është një armik i rrezikshëm, me aftësinë të luftojë në disa fronte njëkohësisht dhe të rifreskojë radhët e tij me luftëtarë të rinj.

Dy ish-ambasadorë amerikanë në Irak paralajmërojnë se SHBA mund të humbasë peshën e saj në rajon ndërkohë që situata në Irak duket se do të përkeqësohet.

Megjithë gati një vit sulme ajrore, grupi ekstremist Shteti Islamik ka vazhduar të pushtojë territore në Irak dhe Siri, duke zhvendosur miliona persona.

Presidenti Obama tha dje se SHBA duan që Bagdati të bëjë më shumë në mënyrë që SHBA të ndihmojë për të mundur ekstremistët sunitë.

“Nuk kemi ende një strategji të plotë sepse kërkohet angazhimi i irakianëve.”

Por, pa një përfshirje më të fortë amerikane, e ardhmja për Irakun duket e mjegullt, i tha Zërit të Amerikës, ish-amabasadori amerikan në Irak, Ryan Crocker.

“Sado keq që janë gjërat sot, ato janë më mirë se ç’do të jenë pas një muaji. Kam hequr dorë prej kohësh nga parashikimi për Lindjen e Mesme, por mendoj se do të shtohet intensiteti i gjërave që kemi parë deri tani.”

Sulmet ajrore nuk mjaftojnë, thonë analistët. Nevojitet një strategji politike më afatgjatë në rajon, e cila do të trajtojë përçarjen shiitë-sunitë. Ish-ambasadori amerikan në Irak, Zalmay Khalilzad, thotë se pa një strategji të tillë, Shtetet e Bashkuara do të mbeten në vorbullën e një gjendjeje të vazhdueshme lufte.

“Mos të tallemi me veten duke menduar se mund ta zgjidhim këtë problem vetëm nëpërmjet sulmeve ushtarake dhe masave të sigurisë. Çështjet që përgatisin terrenin për lëvizje si ISIS janë ende aty, dhe nëse nuk i trajtojmë, do të shndërrohen në një problem të përhershëm, me të cilin do të merremi gjithë kohës.”

Të dy ish-ambasadorët bien dakort që pa një angazhim më të fortë, pesha e Uashingtonit si faktor në rajon rrezikon të mpaket vazhdimisht.

“Kam frikë se Shtetet e Bashkuara shikohen si nga kundërshtarët, ashtu edhe nga aleatët, si gjithnjë e më të shkëputura, dhe rrjedhimisht të parëndësisshme për rajonin.”

Zoti Crocker paralajmëron se nëse Uashingtoni nuk fillon të luajë një rol më të fortë politik në rajon, vende të tjera do të marrin në dorë drejtimin e zhvillimeve.

XS
SM
MD
LG