Lidhje

Iraku anulon një marrëveshje armësh me Rusinë


Iraku ka anuluar një marrëveshje armësh me vlerën e 4,2 miliardë dollarëve me Rusinë. Një zëdhënës i kryeministrit Nuri Al Maliki e bëri sot të njohur këtë vendim, duke thënë se kryeministri kishte dyshime për korrupsion lidhur me marrëveshjen. Nuk u dhanë hollësi lidhur me këtë çështje.

Bagdadi dhe Moska nënshkruan një marrëveshje për paketën e armëve në muajin tetor. Marrëveshja do ta bënte Rusinë furnizuesen më të madhe të armëve pas Shteteve të Bashkuara. Sipas njoftimeve, 30 helikopterë sulmues MI-28 do të përfshiheshin në paketën e ndihmave.

Rusia nuk bëri komente lidhur me anulimin e marrëveshjes. Moska ka qenë furnizuesja më e madhe e armëve për Irakun nën drejtimin e Sadam Huseinit.
XS
SM
MD
LG