Lidhje

Dhuna sektare në Irak


Forcat qeveritare irakiane po luftojnë për të sprapsur luftëtarët e Shtetit Islamik nga provinca Anbar me shumicë besimtarësh suni. Pritet që ata të luftojnë pa mbështetjen e grupeve shiite që mbështeten nga Irani, të cilët kanë dhënë një kontribut me vlerë në betejën kundër ISIS. Ndërkaq, po shtohen shqetësimet për dhunë sektare dhe sulme hakmarrëse nën ifluencën e Teheranit në konflikt:

Ky është fronti i luftës kundër grupit ISIS në Irak. Luftëtarët e Shtetit Islamik kanë ndërmarrë një numër sulmesh kundër qytetit Ramadi, qendra e provincës Anbar.

Po zhvillohen luftime shtëpi më shtëpi, thotë një komandant ushtarak irakian:

“Kemi bërë përparim shumë të ngadaltë dhe kemi pastruar disa shtëpi në zonën al-Houz. Po ashtu kemi vrarë një snajper të ISIS”.

Kryeministri irakian Haider al-Abadi inspektoi trupat në Anbar javën e kaluar, duke shpallur fillimin e ofensivës për të sprapsur ISIS nga kjo provincë.

Por beteja pritet të zhvillohet pa mbështetjen e grupeve të armatosura shiite, të cilat kanë luajtur një rol jetik deri tani, thotë Afzal Ashraf i Institutit Mbretëror për Shërbimet e Armatosura:

“Bëhet shumë e vështirë të lejosh përfshirjen e grupeve paraushtarake shiite. Elementë brenda qeverisë dhe grupe shiite kryen një fushatë terrori dhe torturash në pjesë të al Anbarit kundër atyre që i shohin si besimtarë suni, por që janë përgjithsisht bathista, me të cilët duan të lajnë hesapet”.

Pasi Shteti Islamik u dëbua nga Tikriti në fillim të muajit, luftëtarët shiitë u akuzuan për plaçkitje dhe vandalizëm të banesave dhe bizneseve të sunive.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Mooon foli për situatën gjatë qëndrimit në Katar të dielën:

“I bëj thirrje qeverisë së Irakut të rivendosë rendin në zonat e çliruara nga ISIS”.

Irani ka luajtur një rol të rëndësishëm në stërvitjen dhe mbështetjen e grupeve ushtarake shiite, thotë zoti Ashraf.

“Ekzistonte një kërcënim ekzistencial që shikonin iranianët se ISIS nuk do të pushtonte vetëm Bagdatin dhe Naxhafin, por do të shkatërronte shumë objekte të shenjta”.

Gjenerali iranian Kasem Soleimani komandon shumë prej grupeve të armatosura shiite që veprojnë në Irak. Por ndikimi i tij është i kufizuar, thotë zoti Ashraf:

“Këtyre grupeve u mungon disiplina dhe përgjegjësia e një ushtrie të rregullt. Prandaj është shumë e vështirë të shmangen krimet, vandalizmat apo akte të tjera në këtë skenar. Iranianët duan të bëjnë sa të munden, por në këtë situatë nuk ushtrojnë kontroll të plotë”.

Teherani dhe Perëndimi arritën një marrëveshje kornizë lidhur me programin bërthamor të Iranit në fillim të muajit. Irani duhet ta çojë më tej këtë sukses, thotë ish-diplomati iranian Mehrdad Konsari:

“Irani duhet të veprojë në një mënyrë të tillë që amerikanët të mos mendojnë se me eliminimin e ISIS nga Iraku apo Siria, vakumin do ta mbushin grupe fondamentalistësh shiitë, të cilët amerikanët i konsiderojnë po aq të rrezikshëm, në mos edhe më shumë”.

Zyrtarë ushtarakë irakianë thonë se grupet e armatosura shiite janë tërhequr nga luftimet në Anbar. Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin forcat e qeverisë irakiane me goditje ajrore mbi pozicionet e ISIS.

XS
SM
MD
LG