Lidhje

Sulmet ajrore në Siri dhe në Irak


Në vazhdim të ofensivës të filluar këtë javë, forcat siriane të mbështetura nga avionë ushtarakë rusë rimorën sot kontrollin e një fshati në Sirinë qendrore, pas përplasjeve të ashpra me rebelët.

Ofensiva është fushata e parë sulmuese nga toka dhe në ajri, që kur Moska filloi operacionin ushtarak në 30 shtator. Zyrtarët rusë thonë se sulmet e tyre ajrore synojnë të godasin kryesisht militantët e Shtetit Islamik, por shumica e goditjeve janë bërë në zona ku grupimi ekstremist nuk ka prezencë.

Një deklaratë e ministrisë ruse të mbrojtjes njofton se avionët rusë kryen 64 fluturime dhe goditën 54 objektiva gjatë 24 orëve të fundit, dhe se ndër objektivat e goditura ishin edhe dy qendra komande në Aleppo dhe Idlib.

Rusia, një aleate kyçe e Presidentit sirian Bashar Assad, ka këmbëngulur se sulmet e saj ajrore kanë objektiv grupin Shteti Islamik dhe terroristët e tjerë. Por, zyrtarë amerikanë thanë këtë javë se Rusia ka drejtuar një pjesë të fushatës së saj kundër grupeve të financuara nga Shtetet e Bashkuara dhe ndaj grupeve të tjera të opozitës së moderuar, si një përpjekje e mirëorganizuar për t’i dobësuar ata.

Uashingtoni gjithashtu u shpreh se do të rifillojë bisedime me Rusinë për të gjetur mënyrën e shmangies së aksidenteve ushtarake në hapësirën e mbingarkuar ajrore të Sirisë.

Sipas një deklarate sot, koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara zhvilloi dje 5 goditje ajrore ndaj objektivave të Shtetit Islamik në Siri, dhe 20 të tilla në Irak.

Sipas Komandës së Bashkuar, sulmet ajrore në Siri goditën njësi taktike në Al Hasakah, Ar Raqqah, Manbij dhe Mar’a, si dhe shkatërruan mjete ushtarake dhe ndërtesa të Shtetit Islamik. Në afërsi të Palmirës, një sulm ajror shkatërroi eskavatorë që përdoreshin nga Shteti Islamik.

Katër sulme rrotull Ramadit, në Irak, goditën njësi taktike, pozicione luftimi dhe armë të rënda të Shtetit Islamik. Pranë Sultan Abdallah, tre sulme ajrore shkatërruan një fabrikë që prodhonte makina-bombë dhe një depo.

Ndër vendet e koalicionit që po zhvillojnë sulme ajrore në Irak radhiten Shtetet e Bashkuara, Australia, Kanadaja, Franca, Jordania, Hollanda dhe Britania. Ndërkohë, sulmet ajrore në Siri po kryhen nga Shtetet e Bashkuara, Bahreini, Kanadaja, Franca, Jordania, Arabia Saudite, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

XS
SM
MD
LG