Lidhje

Iraku i kërkon Turqisë tërheqjen e trupave nga rajoni irakian


Iraku i kërkoi sot Turqisë t’i tërheqë menjëherë forcat nga një rajon pranë Mosulit, duke thënë se dislokimi përbën një “shkelje serioze” të sovranitetit të vendit.

Kjo deklaratë e zyrës së kryeministrit irakian konfirmoi se një regjiment turk dhe disa tanke dhe artileri hynë në territorin irakian, pa miratimin e Bagdadit.

Zyrtarët turq thanë se trupat ndodheshin në rajonin Bashiqa të Mosulit “për të kryer manovra rutinë”. Trupat e kaluan kufirin, duke hyrë deri 30 kilometra pranë Mosulit, një qytet nën kontrollin e Shtetit Islamik.

Media turke njoftoi se dislokimi i trupave u krye në kuadrin zëvendësimit të forcave speciale me trupa të reja turke, të cilat më parë patën ndihmuar me stërvitjen e forcave kundër ISIS-it në rajon.

Zyrtarët amerikanë e konfirmuan këtë veprim të Turqisë, duke thënë se një batalion turk ishte pozicionuar në anën irakiane të kufirit.

“Duket se ata janë vërtet duke u stërvitur, ashtu sikurse thonë”- i tha një zyrtar amerikan Zërit të Amerikës, në kushtet e anonimitetit. SHBA thonë se dislokimi i trupave nuk është pjesë e përpjekjeve të koalicionit kundër ISIS-it, por ai zhvillohet në kuadrin e një marrëveshjeje turko-irakiane.

XS
SM
MD
LG