Lidhje

Irak, forcohet ekstremizmi islamik


I dërguari i OKB-së në Irak paralajmëroi se grupi ekstremist islamik ISIL kontrollon rreth një të tretën e vendit dhe se aftësitë e tij ushtarake janë rritur ndjeshëm.

Nickolay Mladenov i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se grupi kryengritës ISIL është rritur dhe fuqizuar, nga një pjesëz e al-Qaidës, në një grup që përbën kërcënim për paqen dhe sigurinë në Irak, në rajon dhe përtej tij:

"Ky grup rekruton dhe përdor luftëtarë të huaj, është angazhuar në vrasje, rrëmbime, shkelje madhore të të drejtave të njeriut - të gjitha këto janë arsyet përse komuniteti ndërkombëtar duhet të kërkojë me vendosmëri, që grupi ISIL t'i ndalë veprimet luftarake dhe krimet," - tha ai.

Shteti islamik i Irakut dhe Levanti, siç njihet ndryshe grupi ISIL,përpiqen të krijojnë një kalifat në pjesë të Irakut dhe në Siri. Të shtunën, ky grup deklaroi se të krishterët dhe njerëz të besimeve të tjera, jo-myslimanë, nën kontrollin e tij, duhet të konvertohen në fenë islame, të paguajnë një taksë të madhe, të largohen, ose përndryshe do të ekzekutohen.

Duke folur përmes lidhjes me video nga Baghdadi, i dërguari i OKB-së Mladenov, tha se persekutimi nga grupi ISIL i të krishterëve dhe pakicave të tjera, ka çuar në zhvendosjen e dhjetra mijëra vetëve, në ekzekutimin dhe rrëmbimin e shumë të tjerëve.

Ai tha se 300,000 persona të zhvendosur kohët e fundit kanë shkuar në rajonin e Kurdistanit, në Irakun verior, duke i hapur probleme autriteteve të atjeshme, që merreshin me trajtimin e 225,000 refugjatëve sirianë.

Zoti Mladenov i bëri thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të zbatojnë sanksionet e vendosura dhe të mbajnë përgjegjës personat që kryejnë veprime terroriste dhe krime lufte.

Ai theksoi se në Irak shtimi kostos së pasigurisë ndjehet drejtpëdrejt tek jeta e njerëzve:

"Megjithë përpjekjet tona, në periudhën janar-qershor të këtij viti janë vrarë 5,500 njerëz dhe rreth 12 mijë të tjerë janë plagosur. Vetëm në korrik kanë vdekur rreth 900 persona."

Ndërkohë, ambasadori i Irakut, i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të ndihmojë t'i jepet fund përhapjes së terrorizmit në të gjitha format e tij dhe i kërkoi OKB-së ta zgjerojë misionin e vet të ndihmave në Irak, UNAMI, edhe për një vit.

Në një deklaratë që bëri të martën, Këshilli i Sigurimit dënoi me forcë persekutimin sistematik të të krishterëve dhe pakicave të tjera nga grupi ISIL dhe grupe të tjera të armatosura dhe paralajmëroi se veprime të tilla mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG