Lidhje

IREX: Indeksi i medias në Kosovë


Organizata IREX arrin në përfundimin se gjendja e medias në Evropë dhe Euroazi, nuk ka ndryshuar në krahasim me vitin e kaluar.

Sipas Indeksit për aftësinë e medias që të luajë rolin e saj jetik si pushteti i katërt në një vend, përmbajtja e njëanshme, auto-censura, ndikimi i Kremlinit dhe rënia e të ardhurave, kërcënojnë lirinë e medias në 21 vende në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, sipas analizës së IREX-it.

Në një sistem që i ndan vendet në katër kategori, Shqipëria dhe Kosova janë në grupin e tretë që i ka arritur pothuajse të gjitha objektivat për të pasur një media të lirë, por mund t’u duhet më shumë kohë që të arrijnë një ndryshim të qëndrueshëm.

Sipas indeksit mesatar të IREX-it, Kosova ka pasur një përmirësim të lehtë, duke arrritur indeksin 2.46, ndërkohë që për të arritur të gjitha objektivat duhet të ketë një indeks prej të paktën 3.01.

Në Kosovë ka pasur një përmirësim të lehtë, përsa i takon lirisë së fjalës, në krahasim me vitin e kaluar që do të thotë se Kosova vazhdon të mbështesë një mjedis ku mbrojtja e ligjore dhe sociale e lirisë së fjalës ekziston, megjithëse nuk zbatohet gjithmonë në nivelet më të larta. Po ashtu raporti tregon se regjistrimi dhe liçencimi i medias mbron interesin e publikut në një fare mase dhe është konkurrues dhe jopolitik. Po ashtu nuk ka kërkesa shtesë për organizatat e medias për t’u regjistruar si mjedis, në krahasim me bizneset e tjera.

Për më tej nuk ka kufizime për qasje dhe përdorim të burimeve vendase dhe ndërkombëtare të medias dhe nuk ka kufizime për të hyrë në profesionin e gazetarisë.

Megjithatë nuk ka pasur përparim përsa i takon mirëqenies së gazetarëve, ndërsa kërcënimet e tyre mbeten të shumta. Megjithatë përveç kërcënimeve nuk ka pasur krime të rënda kundër gazetarëve në vitin 2015.

Financimi i medias publike mbetet një shqetësim i madh, gjë që prek direkt pavarësinë institucionale dhe editorial të medias së Kosovës.

Maqedonia, është në një grup më poshtë se sa Shqipëria dhe Kosova, mes vendeve që i arrijnë objektivat vetëm minimalisht, dhe ka pësuar rënie nga një vit më parë. Indeksi i saj është 1.62.

Kategoritë që merren në shqyrtim në raportin që IREX e bën në bashkëpunim me USAID-in, janë liria e fjalës, shkalla e profesionalizmit, larmia e burimeve të lajmeve, menaxhimi i biznesit dhe mbështetja e institucioneve.

XS
SM
MD
LG