Lidhje

Irritohen të afërmit e pasagjerëve të aeroplanit të zhdukur


Indinjata dhe dëshpërimi lidhur me mungesën e përparimit në operacionet e kërkimit për aeroplanin e zhdukur malajzian, shpërthyen sot gjatë një konference shtypi, ku të afërmit kinezë të udhëtarëve të zhdukur u përplasën me zyrtarët malajzianë. Familjarët u dyndën në dhomën ku do të zhvillohej konferenca e shtypit duke bërtitur dhe mbajtur pankarta. Ata kërkuan që Malajzia të tregonte të vërtetën se çfarë kishte ndodhur me aeroplanin e zhdukur që nga 8 marsi.

"Çdo ditë jam përballur me pyetjet tuaja të mërzitshme. Jam përballë jush çdo ditë, dhe jam ngopur. Ju e dini se ne nuk mund të bëjmë asgjë përveçse të shprehim zemërimin tonë dhe të qajmë, nuk mund t'ju bëjmë asgjë. Përveç gënjeshtrave dhe mashtrimeve, ju keni luajtur edhe rolin e gangsterit.”

Një i afërm i udhëtarëve të zhdukur u shpreh me zemërim para kamerave. Dy të tretat e të 227 udhëtarëve të aeroplanit janë kinezë. Shumë prej familjarëve të tyre janë zemëruar gjithnjë e më shumë rreth informacioneve nga shteti malajzian që ata mendojnë se janë kontradiktore apo sjellin konfuzion. Madje, disa prej tyre kanë kërcënuar se do të hyjnë në grevë urie.

Forcat malajziane të sigurisë i larguan me forcë nga dhoma familjarët kinezë që qanin dhe bllokuan hyrjen.

Me fillimin e konferencës së shtypit, Ministri i Mbrojtjes së Malajzisë, Hishammuddin Hussen tha se autoritetet po bëjnë më të mirën për të gjetur aeroplanin dhe për të përcaktuar zonën e kërkimeve, e cila tani kap një sipërfaqe prej 7 milion kilometrash katrore.

Ministri, i cili po drejton operacionin shumëkombësh, tha se e kuptonte që emocionet ishin të mëdha. Ai tha se Malajzia po dërgon një tjetër delegacion të nivelit të lartë në Pekin për më shumë hollësi mbi operacionet e kërkimit.
XS
SM
MD
LG