Lidhje

Vazhdojnë polemikat mbi skandalin tatimor


Një zyrtar i lartë i administratës Obama thotë se Shtëpia e Bardhë nuk ishte në dijeni të shkeljeve që po kryheshin në Agjencinë Tatimore Amerikane, e cila u bë shkas për një ndër skandalet që kanë tronditur këto ditë administratën.

Agjencia Tatimore Amerikane ka pohuar se ka veçuar disa grupe politike konservatore, duke i bërë objekt të një analize më të hollësishme në punën e saj gjatë viteve të fundit. Agjencia duhet të veprojë si një ent i pavarur shtetëror brenda Departamentit të Thesarit, që drejtohet nga një i emëruar nga presidenti. Këtu lind pyetja: a kishte dieni Shtëpia e Bardhë për parregullsitë në Agjencinë Tatimore para daljes muajin e kaluar të raportit të pavarur hetimor? Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë Dan Pfeiffer thotë: Jo.

“Për herë të parë Shtëpia e Bardhë u vu në dieni pak javë më parë nga Departamenti i Thesarit. Ajo që mësuam nuk ishin hollësitë e atyre që kishin ndodhur, apo rezultatet e procesit hetimor, por faktin që po përfundohej një proces hetimor”.

Në komentet për emisionin televiziv Face the Nation dje në rrjetin CBS, zoti Pfeiffer tha se Shtëpia e Bardhë nuk ndërhyri në proces:

“Ekziston rregulla e pathyeshme që nuk duhet të bëjmë asgjë që mund të ndërhyjë në një hetim të pavarur, apo që krijon përshtypjen se ka ndërhyrje. Mendoj se ne vepruam drejt”.

Garancitë që ka dhënë Shtëpia e Bardhë nuk e kanë bindur ligjvënësin republikan Paul Ryan, i cili konkurroi si kandidat republikan për nënpresident në zgjedhjet e nëntorit:

“Ajo që dimë konkretisht është se për afro dy vjet, Agjencia Tatimore kishte vënë në shenjestër amerikanë bazuar në bindjet politike. A do ta vazhdojmë këtë hetim për të zbuluar çdo të panjohur: kush ishte në dieni të skandalit? Kur mësuan ekzistencën e tij? Përse ndodhi një gjë e tillë? Sa lart në qeveri shkon ky skandal?”

Duke folur për programin televiziv Fox News Sunday, zoti Ryan hodhi poshtë komentet e ish-komisionerit të Agjencisë Tatimore javën e kaluar se veprimet e agjencisë ishin thjesht gabime dhe inkompetencë.

“Njerëzit meritojnë një qeveri tek e cila të kenë besim, një qeveri të ndershme, të paanshme. Përpjekja për ta justifikuar këtë veprim thjesht si një shkarje burokratike – këtë e dimë që nuk është e vërtetë”.

Përveç skandalit me Agjencinë Tatimore, Kongresi po zhvillon hetime edhe lidhur me veprimet e administratës gjatë dhe pas sulmit të vjetshëm në konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë, ku gjetën vdekjen katër amerikanë, mes të cilëve ambasadori amerikan në Libi. Një tjetër objekt hetimesh është vendimi i Departamentit të Drejtësisë për të kontrolluar në mënyrë të parregullt dhe të fshehtë telefonatat e agjencisë së lajmeve Associated Press.
XS
SM
MD
LG