Lidhje

Jep dorëheqjen drejtori në detyrë i IRS


Presidenti Barak Obama thotë se Sekretari i Thesarit Jack Lew i ka kërkuar dorëheqjen drejtorit në detyrë të Agjencisë Tatimore Amerikane. Drejtori ka dhënë ndërkaq dorëheqjen. Analiza e punës së Agjencisë Tatimore tregon se ky institucion ka vënë në shenjestër padrejtësisht disa grupe konservatore:

Presidenti foli dje pas një takimi me Sekretarin Lew dhe zëvendësin e tij, për të analizuar një raport të Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Thesarit. Raporti arrin në përfundimin se Agjencia Tatimore IRS ka veçuar grupe konservatore, që kërkonin statusin e subjekteve publike të përjashtuara nga taksat.

Zyrtarë të lartë të kësaj agjencie pohuan se kishte pasur shkelje dhe kërkuan ndjesë.

Zoti Obama tha se agjencia ka nevojë për udhëheqje të re.

“Sot Sekretari Lew ndërmori hapin e parë duke kërkuar dorëheqjen e drejtuesit në detyrë të agjencisë. Duke pasur parasysh polemikat që ka ndezur qëndrimi i agjencisë, është e nevojshme që të ketë udhëheqje të re që të rikthehet besimi tek ky institucion”.

Zoti Obama, i cili po kritikohet nga disa se nuk ka vepruar me shpejtësinë dhe forcën e duhur në përgjigje të skandalit, shprehu revoltim ndaj incidentit:

“Kam lexuar raportin e Inspektorit të Përgjithshëm të agjencisë. Shkeljet që vëren raporti janë të pajustifikueshme. Është e pajustifikueshme dhe amerikanët kanë të drejtë të revoltohen, siç jam revoltuar edhe unë”.

Presidenti tha se ka udhëzuar Sekretarin Lew të vërë në vend masa kontrolli të propozuara nga inspektori i përgjithshëm, për të parandaluar shkelje të mëtejshme.

Ai shtoi se administrata e tij do të punojë me Kongresin për të hetuar dhe garantuar se veprime të tilla nuk do të përsëriten më:

“Demokratët dhe republikanët ia kanë borxh popullit amerikan ta trajtojnë përgjegjësinë e tyre me seriozitetin që i takon dhe të mos rendin pas axhendës politike”.

Po dje, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner akuzoi agjencinë jo thjesht për shkelje, por për vepra penale:

“Pyetja që ngre unë nuk është kush do të japë dorëheqjen, por kush do të ndëshkohet me burgim”.

Zoti Obama ka premtuar t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve sot, në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, pas takimit me Kryeministrin turk Recep Tayip Erdogan.
XS
SM
MD
LG