Lidhje

SHBA: Republikanët kritikojnë IRS-in


Ligjvënësit republikanë kanë bërë thirrje për një hetim të gjerë për pretendimin se punonjësit e agjencisë amerikane të taksave kanë veçuar për shqyrtime të hollësishme të të ardhurave grupe politike konservatore, duke kërkuar që presidenti Barak Obama personalisht të kërkojë falje për veprimin.

Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, Mike Rogers, tha sot se vënia në shënjestër e grupeve konservatore nga agjencia e taksave, e njohur si IRS gjatë fushatës politike të vitit 2012 "është diçka që nuk mund ta lemë të kalojë. Ajo kërkon një hetim të plotë”, sipas tij.

Senatorja Susan Collins tha se nuk e beson se çështja ka të bëjë vetëm “me disa punonjës mashtrues të agjencisë së taksave”. Ajo e quajti këtë praktikë “ me të vërtetë të shëmtuar".

Agjencia e taksave pretendon se grupet u vunë në shënjestër si pjesë e një politike të papërshtatshme nga një numër i vogël burokratësh dhe jo për arsye politike.

Lois Lerner, një zyrtare e lartë e agjencisë që vëzhgon grupet që përjashtohen nga taksat, kërkoi ndjesë të premten që kishte veçuar grupe konservatore për kontrolle më të imtësishme. Ajo tha se gati 75 organizata që përfshinë në emërtime fjalët “tea party” ose “patriot” në aplikimet për të marrë statusin e përjashtimit nga taksat u vunë në listen e grupeve për shqyrtime të mëtejshme të panevojshme.

Në disa raste, grupeve iu kërkua lista e donatorëve, gjë që shkel politikën e agjencisë. Lerner pranoi se ishte gabim nga ana e agjencisë të vinte në shënjestër grupe mbi baza të bindjeve politike.
XS
SM
MD
LG