Lidhje

Isaac kthehet nga uragan në stuhi tropikale


Stuhia Isaac u ul dje nga një Uragan në një Stuhi Tropikale. Por stuhia, e cila po zhvendoset ngadalë, ndodhet mbi New Orleans, të shtetit Luiziana, në Gjirin e Meksikës, ku po shkakton shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta. Ajo është duke vënë në provë argjinaturat e përmirësuara të qytetit, të cilat u shkatërruan pikërisht shtatë vjet më parë nga uragani Katrina.

Stuhia Tropikale Isaac është shumë më e dobët se uragani Katrina, i cili la 1 mijë e 800 të vdekur në Luiziana dhe Misisipi, në vitin 2005. Megjithatë kërcënimi prej dallgëve të rrezikshme dhe përmbytjeve prej stuhisë është në rritje, ndërkohë që Isaac-u zhvendoset ngadalë nëpër Luiziana.

Dallgët po vënë në provë argjinaturat e qytetit të cilat u prishën gjatë uraganit Katrina dhe që janë përforcuar me riparime dhe përmirësime të financuara nga qeveria federale me vlerë rreth 14 miliardë dollarë. Korpusi i Inxhinierëve të Ushtrisë amerikane thotë se deri tani argjinaturat më të forta po e përballojnë sulmin.

Guvernatori i shtetit të Luizianës, Bobby Jindal, tha se autoriteteve mund t’u duhet të krijojnë një të çarë në njërën prej argjinaturave, në një zonë të përmbytur, për të lehtësuar presionin mbi strukturë dhe për të parandaluar krisje më të mëdha. Ai tha se rreth 40 njerëz në atë zonë duhet të evakuohen.

"Thelbi i problemit është: kjo stuhi është një stuhi me lëvizje shumë të ngadaltë dhe ajo do të qarkullojë përgjatë shtetit tonë. Do të merremi me të deri në mëngjesin e së premtes. Pra, kjo është një stuhi me të cilën do të kemi të bëjmë jo vetëm sot dhe nesër, por do të vazhdojmë të shohim efektet e motit sidomos kur ajo të lëvizë në pjesën veriore të shtetit tonë."

Dje, erërat e stuhisë Isaac arritën shpejtësi deri në 120 kilometra në orë, duke ngritur një mur uji rreth 3,4 metra të lartë në brendësi të një pjese toke në Gjirin e Meksikës. Kryetari i bashkisë i New Orleans-it, Mitch Landrieu, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për qytetin.
XS
SM
MD
LG