Lidhje

Ish astronauti ndërton një raketë të fuqishme


Ish astronauti ndërton një raketë të fuqishme
Ish astronauti ndërton një raketë të fuqishme

Ndërsa shkencëtarët po punojnë për të dërguar një ditë njeriun në Mars, ata duhet të kapërcejnë një sërë vështirësish, mes të cilave ekspozimi i gjatë, ndoshta disa mujor, ndaj rezatimit të rrezikshëm jashtë fushës manjetike të Tokës. Por në se ata vendosin të përdorin një raketë të krijuar nga ish astronauti amerikan Franklin Chang-Diaz, udhëtimi për në planetin e kuq mund të kërkojë vetëm 39 ditë. Raketa mund të jetë përgjigja për shumë udhëtime të vështira në hapësirë.

Në këtë dhomë gjigande vakumi në selinë e kompanisë Ad Astra në Hjuston, teknikët po testojnë raketën e njohur si VASIMR.

"Kjo është plazëm me densitet të ulët, kështu që mund ta kontrollojmë shumë mirë në këtë dhomë".

Fizikanti Christopher Olsen përdor instrumeta për të matur sasinë e pjesëzave të jonizuara të prodhuara nga nxehja e një gazi në temperatura të larta.

"Mund të masim shpejtësinë e jonit, fluksin, forcën dhe temperaturën që del prej tij. Ka shumë parametra që kemi mundësinë të shohim".

Krijuesi i VaSiMR-it është Franklin Chang-Diaz, presidenti dhe shefi ekzekutiv i kompanisë Ad Astra.

"Është një raketë që funksionon mbi bazën e plazmës. Plazma në këtë rast është një gaz shumë i nxehtë, një gaz që nxehet në një temperaturë të përafërt me atë të diellit. Këto aparate këtu janë antena që injektojnë aktualisht valë elektromanjetike që transformojnë gazin në plazmë".

Zoti Chang-Diaz thotë se gazi aq i nxehtë nuk mund të mbahet nga asnjë material i njohur, kështu që përdoret diçka tjetër për ta mbajtur dhe drejtuar rrjedhën e gazit.

"Përdorim fushëm manjetike si mbyllje, si tubacion që mund të drejtojë këtë gaz shumë të nxehtë dhe të prodhojë forcën shtytëse të raketës".

Kjo teknologji nuk përdoret për të nisur anijen në hapësirë – një raketë konvencionale përdoret për këtë qëllim. Kur është në hapësirë, motori plazëm dhe panelet diellore që e furnizojnë atë do të montohen. Chang-Diaz thotë se një avantazh i madh i këtij sistemi shtytës është sasia relativisht e vogël e karburantit që harxhon.

"Për shkak se impulsi specifik i kësaj rakete është shumë më i lartë, sasia e karburantit që duhet është shumë më e vogël".

Franklin Chang-Diaz i cili ka lindur dhe është rritur në Costa Rica, ka fluturuar në shtatë misione të NASA-s.Ai krijoi kompaninë Ad Astra pasi doli në pension në vitin 2005 por kompania vazhdon një bashkëpunim të ngushtëme agjencinë amerikane të hapësirës.

Planifikuesit e misioneve në Qendrën Johnson të Hapësirës e shohin VASIMR si një mënyrë të mundshme për të çuar astronautët në Mars pa i ekspozuar ata ndaj rezatimit të rrezikshëm kozmik që do të ndodhte gjatë një udhëtimi konvencional me raketë e që do të zgjaste disa muaj.

Chang Diaz thotë se zëvendësimi i paneleve diellore me një reaktor bërthamor do të japë energjinë e nevojshme për një udhëtim shumë më të shpejtë në planetin e kuq.

"Lidhja e motorit me reaktorin bërthamor do të jepte mundësinë e një shpejtësie që do ta bënte një mision në mars të donte vetëm 39 ditë".

Një mision i tillë është ende shumë vjet larg, por Chang Diaz thotë se raketa mund të përdoret në misionet më të afërta në Stacionin Ndërkombëtar Orbital apo për të pozicionuar satelitë në orbitën e Tokës. Në pak vjet, sipas një kontrate me Nasën, Ad Astra ka në plan të dërgojë një motor VASIMR në Stacionin Ndërkombëtar Orbital për testim.

XS
SM
MD
LG