Lidhje

Ish guvernatori i Ilinoit dënohet me 14 vjet burg për korrupsion

  • Rudina Dervishi

Ish guvernatori i Ilinoit dënohet me 14 vjet burg për korrupsion

Ish guvernatori i Ilinoit dënohet me 14 vjet burg për korrupsion

Saga e ish guvernatorit të Illinoit Rod Blagojevich përfundoi dje kur ai u dënua me 14 vjet burg për korrupsion. Ai u shpall faajtor për përpjekjet për të shitur vendin e mbetur bosh në senat nga presidenti Obama duke marrë në shkëmbim para për fushatë elektorale apo për të siguruar një vend pune më të mirë.

Lutjet e Rod Blagojevichit për falje nuk dhanë ndonjë rezultat. Gjykatësi e bëri të qartë se situata e ish guvernatorit nuk ishte e jashtëzakonshme dhe nuk meritonte trajtim të veçantë. Megjithatë gjykatësi James Zagel i dha disa merita Blagojeviçit për marrjen e përgjegjësisë për veprimet e tij. Në fjalën e fundit një ditë para vendimit Blagojeviç u përpoq të bënte atë që nuk e kishte bërë kurrë më parë – të kërkonte falje. Pas këmbënguljes për disa vite se ishte i pafajshëm, Blagojeviç i tha gjykatës se kishte bërë gabime të rënda dhe pranonte se kishte shkelur ligjin. Por gjykatësi tha se ndjesa nuk e zbuste krimin e tij.

Pala mbrojtëse paraqiti gjithashtu letra prekëse nga familja e Blagojeviçit përfshi nga bashkëshortja dhe dy vajzat. Por gjykatësi e kishte bërë të qartë qysh më parë se Blagojeviçi kishte gënjyer si dëshmitar kur u përpoq të shpjegonte skemën e tij për vendin e mbetur bosh nga presidenti Obama në senat, dhe nuk i besoi argumentet e palës mbrojtëse se ish guvernatori ishte viktimë e këshilltarëve të tij.

Ndërsa gjykatësi lexoi vendimin, që përfshin 20 mijë dollarë gjobë, Blagojeviç dukej si i ngrirë. Disa minuta më vonë gruaja e tij Pati Blagojevich u ngrit dhe ra në krahët e të shoqit.

Andy Shaw, i Shoqatës për Qeverisje më të Mirë në Illinoi, tha se dënimi dërgon mesazhin tek zyrtarët publik se do të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre.

“Besoj se shumë zyrtarë publik do ta mendojnë dy herë, tre herë ndoshta 10 herë para se të përfshihen në veprime që mund të jenë të paligjshme”.

Duke dalë nga gjykata Blagojeviç tha se ishte koha për të qëndruar i fortë për gruan dhe fëmijët e tij.

Demokrati i zgjedhur dy herë mori dënimin më të rëndë mes katër ish guvernatorëve të shtetit Illinoit të dënuar në burg gjatë katër dekadave të fundit. Paraardhësi i tij republikan George Ryan po kryen dënimin prej 6 vjet e gjysmë për shkelje të ligjit. Blagojeviç pritet ta apelojë vendimin por sipas rregullave federale, shkelësit e ligjit duhet të vuajnë të paktën 85 përqind të dënimit të vendosur nga gjykatësi që do të thotë se Blagojeviç nuk do të dalë nga burgu.

XS
SM
MD
LG