Lidhje

Ish ministri libian i Drejtësisë akuzon Gadafin për shpërthimin mbi Lokërbi më 1988

  • Henry Ridgwell

Ish ministri libian i Drejtësisë akuzon Gadafin për shpërthimin mbi Lokërbi më 1988

Ish ministri libian i Drejtësisë akuzon Gadafin për shpërthimin mbi Lokërbi më 1988

Ministri libian i drejtësisë, i cili dha dorëheqjen pas shtypjes nga qeveria e tij të protestuesve, tha se udhëheqësi i vendit, Moamar Gadafi dha urdhër personalisht për rrëzimin e aeroplanit mbi Lokërbi në vitin 1988. Zoti Gadafi gjithnjë ka mohuar të ketë pasur dijeni rreth planeve për atë sulm. Pretendimi i ministrit libian ringjall debatin nëse vendet perëndimore u nxituan për të mirëpritur zotin Gadafi në komunitetin ndërkombëtar.

Fluturimi 103 i firmës ajrore Pan Am shpërtheu mbi Lokërbi të Skocisë më 1988, duke shkaktuar 270 të vdekur në aeroplan dhe në tokë. Në vitin 2003, udhëheqësi libian Moamar Gadafi e pranoi se vendi i tij ishte përgjegjës, por ai gjithnjë ka mohuar çdo dijeni para sulmit.

Tani ish ministri i drejtësisë, Mustafa Abdel-Jalil, thotë se zoti Gadafi personalisht dha urdhër për hedhjen në erë të aeroplanit. Gazeta suedeze Expressen shkruan se zoti Jalil i tha korrespondentit të saj në Libi se ai ka prova që udhëheqësi libian dha urdhërin, megjithatë ai nuk ofroi prova. Zoti Jalil thotë se Abdelbaset al-Megrahi zbatoi urdhërin e Gadafit.

Al-Megrahi është i vetmi person i dënuar për sulmin mbi Lokërbi, por ai u lirua në vitin 2009 nga autoritetet skoceze mbi baza keqardhjeje me që vuante nga kanceri.

Vëllai i Bert Ammerman, Tomi ishte mes viktimave.

“Ky informacion që po njoftohet sot është prova bindëse që kam pritur për 23 vjet".
Kjo akuzë ngrë pikpyetje nëse Britania dhe vende të tjera perëndimore u nxituan kur mirëpritën zotin Gadhafi në gjirin e komunitetit ndërkombëtar. Por ish ministri i qeverisë britanike, David Trefgarne thotë se njerzit nuk duhet të nxjerrin konkluzione të nxituara. Zoti Trafgarne është tani kryetar i Këshillit të biznesit britaniko-libian.

“Nëse i hedhim një vështrim incidentit mbi Lokërbi dhe të gjitha zhvillimet që pasuan, ka pasur një numër shumë të madh dhe të ndryshëm akuzash, disa prej tyre të vërteta dhe disa jo. Nuk mund të ofroj asnjë hollësi nëse informacioni më i fundit është i vërtetë apo jo”.
Zoti Gadhafi kërkoi mbështetjen e Britanisë në vitin 2003, kur priti kryeministrin e athershëm, Tony Blair. Dhe zoti Trefgarne thotë se ato marrëdhënie sollën shumë përfitime.

“Libia dorëzoi armët e shkatërrimit në masë si dhe programin e këtyre armëve. Autoritetet libiane premtuan të mos mbështesnin asnjë formë të terrorizmit ndërkombëtar në të ardhmen”.

Por tani Libia është përfshirë nga trazirat, madje ka njoftime të shumta se Moammar Gadhafi ka dhënë urdhër për përdorim të forces vdekjeprurëse kundër popullit të vet. Dhe kjo vë në pikpyetje aspekte të tjera, si për shembull shitjen e armëve perëndimore Libisë. Kompani britanike i kanë shitur Tripolit armë snajper deri nëntorin e kaluar.

Kaye Stearman është zëdhënëse e organizatës Fushata Kundër Tregtisë së Armëve.

“Natyrisht që vendet evropiane përpiqen t’i shesin armë Libisë, vend tepër i pasur, i cili gjatë viteve të fundit është hapur shumë. Mendoj se italianët, francezët dhe gjermanët kanë konkurencë të madhe me Britaninë. Edhe Malta e vogël i ka shitur Libisë armë me vlerë prej 120 milion dollarësh”.

Dhuna kundër protestuesve në Libi ka çuar në thirrje nga shumë qeveria evropiane që të vendosin sanksione tregtare kundër Libisë. Ndërkohë, Skocia thotë se do të hetojë çdo prove të re lidhur me shpërthimin mbi Lokërbi në vitin 1988.

XS
SM
MD
LG