Lidhje

Ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani kërkuan rishikimin e Kushtetutës


Ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani kërkuan rishikimin e Kushtetutës

Ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani kërkuan rishikimin e Kushtetutës

Një grup ish-drejtuesish të lartë të shtetit shqiptar, mes të cilëve ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Rexhep Mejdani u bënë sot thirrje forcave politike që të rishikojnë Kushtetutën për të forcuar institucionet demokratike të vendit. Ata theksuan në një tryezë të rrumbullakët se ndryshimet e bëra në Kushtetutë në kohë të ndryshme e kanë prishur balancën dhe pavarësinë e institucioneve. Ish-zyrtarët e lartë shtetërorë kërkuan që parlamenti dhe qarqet politike të shqyrtojnë mundësinë e disa ndryshimeve në Kushtetutë për ta përshtatur atë me nevojat e demokracisë dhe integrimit të vendit në BE. Ata u mblodhën sot në Forumin Civil të organizuar nga Fondacioni “Moisiu” për të diskutuar mbi forcimin e institucioneve demokratike dhe ndarjen e pushteteve.

Ish-presidenti Alfred Moisiu tha se “Forumi Civil dhe Fondacioni që drejton po propozojnë që të nisë një reformë kushtetuese, për një seri çështjesh që lidhen me pavarësinë dhe integritetin e institucioneve, që nga mënyra e zgjedhjes së presidentit, e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhja e prokurorit të përgjithshëm, guvernatorit të Bankës Qendrore, e shumë zyrtarëve të tjerë të lartë, deri tek çështja e imuniteteve kushtetuese të autoriteteve shtetërore”. Ndërsa ish-presidenti Rexhep Mejdani tha se në kushtetutën aktuale nevojitet të rishihet krahas zgjedhjes së presidentit edhe ajo e titullarëve që kanë lidhje direkte me detyrat e tij në diplomaci, drejtësi dhe ushtri. Ai tha se “nevojitet një rishikim tërësor i kushtetutës mbi detyrat e institucioneve, për të siguruar ndarjen e pushteteve dhe kontrollin e balancimin e tyre, aq më tepër që Shqipëria po integrohet në Bashkimin Europian”.

Analistët vërejnë se ndërhyrjet në Kushtetutë po bëhen sa herë që partitë politike ngecin nëpër mosmarrevshje, duke shpresuar se mospajtimet midis tyre mund t’i kapërcejnë duke ndryshuar Kushtetutën. Në Qendrën për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve, Ilir Alia, thotë se ndryshimet nuk bëhen me ngut, që pas një viti të ndryshohen edhe këto ndryshime. Sipas tij, “këto ndryshime në Kushtetutë duhen bërë me debate të gjata e transparente dhe me ndihmën e institucioneve ndërkombëtare, ku po synohet integrimi”.

Pjesëmarrësit në këtë debat theksuan se ndryshimi i kushtetutës nuk është një punë e lehtë, por kërkohet edhe angazhimi serioz i partive politike dhe institucioneve shtetërore për të nxjerrë në dritë problemet që hasen në zbatimin e përditshëm të ligjeve.

XS
SM
MD
LG