Lidhje

Ish presidentja e Irlandës kryeson një fushatë për planifikimin familjar në Afrikë

  • Xho Kapua

Ish presidentja e Irlandës kryeson një fushatë për planifikimin familjar në Afrikë

Ish presidentja e Irlandës kryeson një fushatë për planifikimin familjar në Afrikë

Ithatrët e planifikimit familjar thonë se çdo vit, thuajse 360 mijë gra vdesin nga shkaqe të lidhura me shtatëzanitë, shumica e tyre në Afrikë. Ish presidentja e Irlandës Meri Robinson, po ndihmon në udhëheqjen e një fushate për qasje edhe më të madhe të shërbimve të planifikimit familjar në vendet në zhvillim.

Meri Robinson është tani kryetare e Këshillit Botëror për Shëndetin Riprodhues në Institutin Aspen.

“Shëndeti riprodhues do të thotë familje e shëndetshme. Krijohen më shumë mundësi që fëmijët, si djemtë dhe vajzat, të shkojnë në shkollë sepse nëna ka kohë ose motivimin për t’u ofruar shanset më të mira, çka është ajo që dëshiron çdo nënë për fëmijët e saj. Por kjo nuk realizohet në rastet kur nënat janë të rraskapitura dhe të tejlodhura nga problemet e shumta e nga ushqimi i pakët”.

Ajo thotë se në vështrimin afatgjatë shëndeti riprodhues do të thotë rritje cilësore. Instituti Aspen thotë se Somalia përshembull është një vend në të cilin mungesa e shërbimit të planifikimit familjar ka bërë që situata të përkeqësohet në mënyrë dramatike. Sipas këtij instituti Somalia renditet në vendin e tetë në botë për ritmet e lindjeve dhe familja mesatare e këtij vendi ka 7 fëmijë. Popullsia e këtij vendi prite të rritet nga rreth 10 milionë që është sot në më shumë se 13 milionë deri në vitin 2025.

Rreth 19 vjet më parë, zonja Robinson vizitoi Somalinë në ditët kur baronët e luftës luftonin për të marrë kontrollin e vendit, ndërsa populli ishte i uritur. Ajo shkoi së fundmi në Somali, dhe thotë se gjen një situatë të përkeqësuar.

“Në atë kohë qeveria kishte 19 vjet që nuk funksionon. Në vend të baronëve të luftës, tani është organizata al Shabab që ka lidhje me al Kaidën. Çmimet e ushqimeve janë më të larta se asnjëherë, dhe kriza e urisë u shpall që në muajin korrik. Dhe si për t’i vënë kapak kësaj situate, Briri i Afrikës po përjeton vitin e tetë më të nxehtë në historinë e tij. Pra edhe klima ka ushtruar ndikimin e saj”.

Zonja Robinson pa pasojat që kjo situatë po linte tek gratë në Somali.

“Kam takuar gra të dobësuara me fëmijët e tyre që kishin vështrim të mjegullt, në prag të urisë. Kur i pyesja se sa fëmijë keni, asnjë prej nënave që takova nuk kishte më pak se 6 fëmijë. Pra Somalia është rasti më i keq, ku gratë lindin fëmijë sa të mudnen, por vetëm të 1 ose dy arrijnë të mbijetojnë”.

Ish komisionerja e Lartë për Të drejtat e Njeiriut vizitoi kampin e refugjatëve në Dadaab. Qindra mijëra refugjatë nga Somalia kanë kërkuar strehim për t’i shpëtuar konfliktit, thatësirës dhe urisë.

“Isha në Dadaab në Kenia, kampi më i madh i refugjatëve në botë për monentin, dhe po ndiqja një projekt të organizatës Save the Children për nënat e reja në moshë. Kishte prej tyre që ishin nën 18 vjeç dhe ishin nëna, disa prej tyre ishin përdhunuar gjatë rrugës nga Somalia për në Kenia, dhe disa kishin mbetur sërish shtatëzënë si pasojë e përdhunimit”.

Zonja Robinson vizitoi edhe rajonin Amhara në Etiopi me grupin që njihet si Kryepleqtë, mes tyre edhe Arqipeshkvi Desmond Tutu. Ajo thotë se shpesh vajzat martohen që në moshën 12 vjeç. Shumë prej tyre i humbasin fëmijët pasi trupi i tyre nuk e përballon shtatëzaninë. Familjet mund të kenë deri 9 fëmijë.

“Fola me një vajzë 16 vjeçare e cila ishte e martuar për një vit. Ajo ishte martuar 15 vjeçe. Doja të kisha një lloj bisede miqësore me atë. I thashë të më tregonte për ditën e saj të dasmës. Ajo më pa me sy të trishtuar dhe më tha se iu desh të braktiste shkollën. Pra, një ditë shkon në shkollë dhe ditën tjetër familja të thotë se duhet të martohesh. Pas kësaj ajo nisi të jetonte me burrin. Dhe ju mund ta mendoni se si ishte jeta e saj”.

Ish presidentja e Irlandës tha se shërbimi i planifikimit familjar duhet të futet si kulturë në mendësinë e një komuniteti dhe nuk mund të imponohet. Ajo tha se gratë duhet të iformohen për alternativat që ofrojnë këto shërbime dhe t’i vënë në përdorim. Zonja Robinson thotë se debati rreth abortit shpesh eklipson pamjen e përgjithshme të rëndësisë që ka shëndeti riprodhues.

“Mendoj se ata që kanë një qëndrim të prerë për abortin duhet të kuptojnë se sa shqetësuese është kur ju hiqni të gjitha mjetet e shëndetit riprodhues dhe planifikimit familjar dhe gratë janë të detyruara të bëjnë aborte të paligjshme, të cilat janë burimi kryesor i vdekjeve të nënave të reja në shumë vende. Është tragjike”.

Grupet fetare dhe konservatore në Shteteet e Bashkuara dhe jashtë tyre shpesh i kundrështojnë fondet për shërbimet ndërkombëtare të shëndetit riprodhures. Ata citojnë arsye morale dhe etike dhe thonë se planifikimi familjar nuk duhet të përdoret nga gratë. Disa e konsiderojnë abortin të barabartë me vrasjen.

Së fundmi, Këshilli Botëror i Shërbimit Riprodheus i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtarë për të dyfishuar fondet për planifikimin familjar deri në 6.7 miliardë dollarë. Zonja Robinson ka themeluar gjithashtu edhe Fondacionin Meri Robinson. Qëllimi i tij është të kërkojë drejtësi “për shumë viktima të ndryshimeve klimatike të cilat zakonisht harrohen - për viktimat e varfërisë, të pafuqisë dhe margjinalizimit”.

XS
SM
MD
LG