Lidhje

Ish senatori Santorum fiton zgjedhjet paraprake në Alabama dhe Misisipi


Ish senatori Rick Santorum ka fituar zgjedhjet paraprake republikane në dy shtete jugore amerikane, Alabama dhe Misisipi, duke forcuar statusin e tij si alternativa konservatore përballë Mitt Romney-t, kandidati kryesues në garë.

Zoti Santorum fitoi me rezultat të ngushtë në shtetet konservatore i ndjekur nga Newt Gingrich në vend të dytë dhe Mitt Romney në vend të tretë.

Ish senatori amerikan nga Pensilvania u tha mbështetësve se fushata e tij ishte “rreth njerëzve të zakonshëm që bëjnë gjëra të jashtëzakonshme” dhe se me ndihmën e tyre ai po sfidonte shanset.

Ai tha se është koha që konservatorët të bashkohen për t'u përballur me presidentin demokrat Barak Obama në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Zoti Gingrich pati shpresuar të fitonte njërin prej shteteve në mënyrë që të mbante kandidaturën e tij ende në lojë. Por ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve u tha të pranishmëve në një tubim mbrëmë se ai nuk do të përfillte thirrjet për tërheqje nga gara, duke e përshkruar veten si udhëheqës vizionar, i cili mund të kthejë Amerikën në vendin që i takon.

XS
SM
MD
LG