Lidhje

Ish udhëheqësi i Al-Kaidës i shqetësuar rreth ‘Pranverës Arabe’

  • Gari Thomas

Më 2 maj të vitit të kaluar komandot amerikane vranë terroristin më të kërkuar të botës. Vdekja e Osama bin Ladenit shënoi fundin e një kërkimi të vështirë për udhëheqësin e al-Kaidës nga oficerët e zbulimit. Siç njofton korrespondenti ynë Gary Thomas, zyrtari më i lartë i zbulimit amerikan thotë se deri në kohën që u gjet, bin Ladeni ishte i shqetësuar se lëvizja e tij xhihadiste me dhunë po eklipsohej nga ngjarrje gjetkë në botë.

Në një intervistë të rrallë, Drejtori i Zbulimit Kombëtar, James Clapper i tha Zërit të Amerikës se në kohën kur u vra, Osama bin Ladeni ishte i shqetësuar se lëvizja e tij al-Kaida kishte dalë në plan të dytë nga forcat e asaj që njihet si “Pranvera Arabe”.

"Protestuesit e ‘Pranverës Arabe’ nuk ishin të nxitura nga jashtë. Ata nuk ishin të organizuar si një lëvizje xhihadiste. Ata kishin aspirata dhe motive të tjera. Prandaj mendoj se ekzistonte një farë shqetësimi, duke pasur parasysh edhe faktin se ai ishte i izoluar, se ‘Pranvera Arabe’ do të bënte që ai dhe lëvizja e tij të mos kishin rëndësinë e mëparshme".

Pas një dekade informacionesh false dhe rrugësh pa krye, oficerët e zbulimit e gjetën Bin Ladenin në një kompleks të fortifikuar në Abbottabad të Pakistanit, jo shumë larg akademisë ushtarake elitë të vendit. Në një operacion të koduar me emrin “Sulmi Neptun”, komandot speciale amerikane SEALS kaluan fshehurazi nga Afganistani në Pakistan me helicopter, vërshuan në kompleks, dhe vranë bin Ladenin në një sulm në orët e para të mëngjesit të 2 majit. Trupi i tij u varros në det.

Një koleksion i çmuar zbulimi në formën e dokumentave në letër dhe në kompjuter u gjetën në atë kompleks, duke u dhënë autoriteteve të zbulimit informacion të vlefshëm rreth vetë bin Ladenit dhe al-Kaidës. Zoti Clapper thotë se zyrtarët u habitën disi me izolimin e bin Ladenit.

"Ai kryesonte ceremonitë e betimit për anëtarë të rinj, ai ishte personalisht shumë i angazhuar. Dhe e gjithë kjo veprimtari u ndërpre. Dhe për një farë kohe, unë besoj se vlera e tij, rëndësia e tij ishin identiteti dhe ideologjia, që ai përfaqësonte. Deri në momentin e fundit, bin Ladeni jepte udhëzime, disa ishin filozofike, disa operacionale, frymëzuese e disa ishin thjeshtë disiluzion".

Zoti Clapper thotë se bin Ladeni nuk kishte hequr dorë nga organizimi i komploteve të reja pas sulmeve shkatërrimtare të 11 shtatarit 2001. Por analistët thonë se Bërthama e al-Kaidës, sic e quajnë zyrtarët e zbulimit grupin original me seli në Pakistan, e ka humbur rëndësinë. Profesori Audrey Kurth Cronin, ekspert i terrorizmit në Universitetin George Mason, thotë se nga sulmet e al-Kaidës janë vrarë më shumë myslimanë se sa jo-myslimanë, një goditje e rëndë për një grup që kërkon mbështetje në botën islamike.

"Operacioni për vrasjen e bin Ladenit pati një ndikim të madh tek al-Kaida, por në se shikojmë lëvizjen nga ana strategjike, al-Qaida kishte filluar ta humbiste rëndësinë disa vite para vrasjes së bin Ladenit".

Shefi i zbulimit amerikan Clapper thotë se Bërthama e al-Kaidës nuk përbën më të njëjtin rrezik si më parë sepse zëvëndësuesit e bin Ladenit janë vënë në shënjestër. Megjithatë, ai shton se Perëndimi duhet të jetë vigjilent. Ai thotë se grupi është shndërruar tashmë në celula të vogla dhe shumica e tyre nuk duket se përbëjnë ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë për Perëndimin.

"Al-Kaida ka krijuar degë të saj dhe me një përjashtim, ato janë të lokale dhe nuk përqëndrohen në sulme kundër territorit të Shteteve të Bashkuara. Përjashtim vazhdon të bëjë Al-Kaida në Gadishullin Arabik, të cilën unë e shikoj si më të rrezikshmen dhe më kërcënuesen për Evropën dhe Shtetet e Bashkuara".

Zoti Clapper thekson gjithashtu se në qarqet e zbulimit ekziston gjithashtu shqetësimi se lëvizjet "Pranvera Arabe" pro demokracisë në vende si Siria mund të rrëmbehen nga ekstremistët.

Drejtori i Zbulimit Amerikan ia atribuon mungesën e ndonjë sulmi terrorist në Shtetet e Bashkuara që prej 11 shtatorit 2001 përmirësimit të madh të bashkëpunimit mes agjencive të zbulimit, që përbëjnë komunitetin e zbulimit në Shtetet e Bashkuara, por ai shton se kurrë nuk refuzon pak fat e madje edhe një farë fati mund të ketë kontribuar.

XS
SM
MD
LG