Lidhje

Ish zyrtarë të lartë amerikanë komentojnë mbi luftën në Afganistan

  • Andre Nesnera

Ish zyrtarë të lartë amerikanë komentojnë mbi luftën në Afganistan

Ish zyrtarë të lartë amerikanë komentojnë mbi luftën në Afganistan

Javën e kaluar, Franca njoftoi se do të tërheqë trupat luftarake nga Afganistani një vit më parë, ndërsa ky konflikt bëhet gjithnjë e më pak popullor mes publikut francez. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Andre de Nesnera bisedoi me tre ish zyrtarë të lartë qeveritarë se si amerikanët dhe popujt e vendeve të tjera të NATO-s po vuajnë nga ajo që ekspertët e quajnë “lodhje nga lufta”.

Shtetet e Bashkuara janë në luftë në Afganistan prej më shumë se 10 vjetësh. Në vitin 2001 Amerika udhëhoqi një koalicion ndërkombëtar, i cili dëboi nga pushteti talebanët. 90 mijë prej 130 mijë forcave të NATO-s aktualisht në Afganistan janë amerikanë.

Objektivi i Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s është që deri në fund të vitit 2014 t’ua kalojnë operacionet luftarake forcave të armatosura afgane dhe atyre të sigurisë. Por ekspertët thonë se opinioni publik në shumicën e vendeve anëtare të NATO-s kërkon kthimin e ushtarëve të tyre në atdhe sa më parë që të jetë e mundur.

Ish sekretari i Mbrojtjes, William Cohen, thotë se publiku amerikan është raskapitur nga një luftë që po hyn në dekadën e dytë.

“Populli amerikan po vuan nga një recession shumë i rëndë, një rimëkëmbje ekonomike, që nuk po krijon vende pune, dhe nëse me të vërtetë mund të bëhet fjalë për rimëkëmbje ekonomike. Duke pasur parasysh faktin se ne kemi shpenzuar më shumë se 1.5 trilion dollarë në Irak dhe Afganistan, publiku amerikan nuk shikon fundin e këtyre luftërave në horizont dhe në fakt është raskapitur nga ato”.

I të njëjtit mendim është edhe ish këshilltari i sigurisë kombëtare, Brent Scowcroft.

“Lufta në Afganistan ka qënë shumë e gjatë dhe shumë e shtrenjtë si në jetë njerzish ashtu edhe në dollarë dhe ne jemi raskapitur”.

Më shumë se 1,800 ushtarë dhe marinsa amerikanë janë vrarë në Afganistan dhe mbi 15 mijë janë plagosur.

Ndërsa e pranon se publiku amerikan është raskapitur nga lufta, ish ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, John Bolton thotë se udhëheqja politike amerikane, si demokratët edhe republikanët, nuk kanë paraqitur argumenta bindëse për angazhimin e Shteteve të Bashkura në Afganistan.

“Amerikanët janë shumë të hapur ndaj argumentit se ata dhe miqtë e tyre nëpër botë janë më të sigurtë si rezultat i këtij konflikti. Por nëse atyre nuk u bëhet ky argument me fakte bindëse, nëse sakrificat nuk shpjegohen dhe nuk justifikohen, nuk e kuptoj habinë rreth ftohjes së publikut nga ky konflikt. Prandaj unë fajësoj udhëheqjen politike dhe jo publikun amerikan”.

Ja si shprehet në këtë pike ish sekretari i mbrojtjes, William Cohen.

“Ёshtë obligim i zyrtarëve tanë të zgjedhur si dhe i administrates, që së bashku me Kongresin, të shpjegojnë interesat strategjike afat gjatë të Amerikës që Afganistani të mos bëhet përsëri strehë e grupeve terroriste, që mund të organizojnë dhe kryejnë sulme si ato të 11 shtatorit 2001. Por populli duhet bindur se angazhimi në Afganistan është në interesin tonë afat gjatë”.

Megjithatë zoti Cohen thotë se Shtetet e Bashkuara nuk mund ta bëjnë këtë vetëm, prandaj ekziston nevoja e një zgjidhjeje rajonale për problemin afgan.

“Ndaj Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të koalicionit në Afganistan do të shtohet presioni për të pakësuar praninë dhe për t’u tërhequr prej andej. Dhe nëse bota është e shqetësuar që Afganistani të mos kthehet në të kaluarën e tij historike, atëhere shumë vende të tjera, përveç Shteteve të Bashkuara, duhet të angazhohen në atë vend. Shtetet e Bashkuara nuk mund të vazhdojnë të njëjtin angazhim si në të kaluarën”.

Ky argument i ish sekretarit Cohen u bën jehonë komenteve që Sekretari i Mbrojtjes, Robert Gates bëri për kadetët e ushtrisë vitin e kaluar, kur tha se “çdo sekretar i mbrojtjes në të ardhmen që e këshillon presidentin të dërgojë përsëri një division të madh të ushtrisë amerikane në Azi, Lindjen e Mesme ose në Afrikë duhet t’i ekzaminohet koka”.

XS
SM
MD
LG