Lidhje

Ish zyrtarët amerikanë shprehin skepticizëm për gjendjen në Afghanistan

  • Andre Nesnera

Ish zyrtarët amerikanë shprehin skepticizëm për gjendjen në Afghanistan

Ish zyrtarët amerikanë shprehin skepticizëm për gjendjen në Afghanistan

Në Afganistan, qëllimi i Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, është që t’i transferojnë kompetencat për operacionet luftarake në duart e forcave afgane brenda vitit 2014. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera bisedoi me tre ish zyrtarë të lartë të qeverisë së mëparshme për situatën aktuale në Afganistan. Ta ndjekim.

NATO ka qenë e pranishme në Afganistan që nga viti 2003, duke drejtuar kontingjentin prej 130 mijë ushtarësh nën mandatin e OKB-së, të njohur me emrin “Forca Ndërkombëtare e Asisstencës për Sigurinë” ose ISAF.

NATO ka tre misione në Afganistan. I pari është që të ndihmojë qeverinë e presidentit Hamid Karzai në përpjekjet e saj për rindërtimin dhe stabilizimin e vendit. I dyti është të stërvitet ushtria afgane dhe policia. Dhe misioni i tretë është për të kapur dhe eliminuar kryengritësit, veçanërisht në jug të Afganistanit që është bazë e talibanëve të cilët u rrëzuan nga pushteti nga forcat e koalicionit të udhëhequr nga SHBA në vitin 2001.

Qëllimi i Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s është t’i kalojë kompetencat e sigurisë në duart e forcave afgane deri në fund të vitit 2014.

Por ish ambasadori amerikan në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, John Bolton, është skeptik se forcat afgane të sigurisë dhe forcat e armatosura afgane do të jenë të afta ta kryejnë këtë detyrë.

“Unë nuk mendoj se ata do të jenë të gatshëm të marrin përgjegjësitë, por jo për shkak të mungesës së trajnimit ose mungesës së pajisjeve. Unë mendoj se politika jonë ka një mospërputhje ose një mangësi në këtë drejtim pasi ne jemi duke e trajtuar Afganistanin si një shtet që ndodhet diku në Evropën Perëndimore. Prandaj, çështja kryesore nuk është aftësia e qeverisë afgane, por nevoja për të vazhduar luftën kundër kërcënimit nga talebanët dhe al-Kaida. Unë mendoj se ka tregues të fortë se kërcënimi do të vazhdojë, pa marrë parasysh se çfarë cilësimesh do të bëhen në letër nga qeveria afgane apo se si do të duket ajo në vitin 2014 ose 2015”.

Talibanët kohët e fundit kanë njoftuar se do të hapin një zyrë politike në Katar. Disa ekspertë thonë se eventualisht kjo mund të çojë në fillimin e bisedimeve paraprake dhe më pas negociatave për paqe. Por, ish-këshilltari për siguri kombëtare, gjenerali Brent Scowcroft thotë se duhet të tregohet kujdes.

“Është shumë e vështirë për ne të negociojmë me talebanët. Ata duan që ne të largohemi. Pra, pothuajse për çdo gjë që ne do negociojmë ata do të jenë të suksesshëm. Ne duam që ata të mos i kthehen terrorizmit dhe të mos jenë strehë për al-Kaidën. Por pasi të largohemi nga vendi, ne nuk kemi kontroll mbi ta. Pra, negociatat e këtij lloji në një mënyrë janë të njëanshme”.


Ish-Sekretari i Mbrojtjes, William Cohen thotë se suksesi i bisedimeve të paqes me kryengritësit do të varet nga fraksioni i talebanëve me të cilët do të bisedohet.

“Nëse bisedojmë me talebanët që kanë vendosur t’i ulin armët dhe të punojnë drejt një zgjidhje paqësore për vendin atëherë ia vlen që së paku të diskutohet me ta. Mendoj se kjo do të jetë mjaft e vështirë, megjithatë, shumë afganë kanë qenë viktima të sundimit të talibanëve në të kaluarën dhe nuk duan të kthehen në regjimin e tyre. Prandaj, mënyra se si shihen Talibanët dhe se si sillen ata në të ardhmen, mendoj se do të jetë e rëndësishme për të përcaktuar nëse ata do të jenë pjesë e këtij procesi apo jo”.

Cohen, Bolton dhe Scowcroft besojnë se çdo zgjidhje afatgjatë e konfliktit afgan duhet të përfshijë Pakistanin fqinj. Gjenerali Scowcroft thotë se Uashingtoni duhet të punojë shumë për të stabilizuar marrëdhëniet me Islamabadin.

“Ne kemi pasur marrëdhënie të vështira me Pakistanin kohë pas kohe që nga koha e krijimit të këtij vendi, kur ne ishim mbrojtësit kryesorë të sigurisë së tyre. Nga këndvështrimi pakistanez, ne i kemi braktisur ata disa herë. Prandaj, ata nuk kanë besim të madh në Shtetet e Bashkuara. Por ne duhet të kemi një Pakistan relativisht të qëndrueshëm dhe të begatë në mënyrë që rajoni t’i përshtatet nevojave tona minimale”.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit precipituan në pikën më të ulët nëntorin e kaluar, kur një sulm i NATO-s vrau dhjetëra ushtarë pakistanezë. Islamabadi iu përgjigj këtij sulmi me mbylljen e të gjitha rrugëve të tranzitit në Pakistan që NATO-ja i shfrytëzonte për furnizimin trupave të saj në Afganistan. Rrugët vazhdojnë të jenë të mbyllura.

XS
SM
MD
LG