Lidhje

ISIL dhe axhenda e tij politike


Ndërkohë që ekstremistët suni në Irak dhe aleatët e tyre po marrin nën kontroll pika të tjera kalimi në kufi me Sirinë dhe Jordanin, shumë analistë po përpiqen të parashikojnë se çfarë do të sjellë e ardhmja. Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se ekstremistët e Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit mund të futen në Jordani, ndërsa të tjerë thonë se ata do të avancojnë drejt Bagdatit. Një analist thotë se sukseset e fundit të ISIL-i janë pjesë e ambicjeve më të gjera të kësaj organizate për të fshirë kufijt dhe për të ngritur një shtet islamik në këto territore.

Marrja e pikave kufitare të Traibilit në kufirin jordanez dhe Al-Wajeedit në kufirin me Sirinë ishin pjesë e programit qendror të ISIL-it, thotë Brian Fishman, një studiues anti-terrorizmit në Fondacionin Amerika e Re:

"ISIL-i nuk do të marrë Irakun në kufijtë aktualë. Mendoj se ISIL-i do të ishte shumë i kënaqur nëse mbetet pa Bagdatin, pasi synimi i tij është një shtet islamik në zonat suni në perëndim dhe veri të Irakut dhe në Sirinë lindore”.

Zoti Fishman thotë se mënyra si e zbatojnë ekstremistët strategjinë e tyre shihet në operacionet e tyre në Siri. ISIL-i është angazhuar në konfliktin sirian dhe ka marrë nën kontroll qytete në lindje të vendit:

"Kjo nuk është një organizatë që ka filluar ofensivë për marrjen e Damaskut, nuk është një organizatë që po përpiqet të marrë çdo centimetër katror të Sirisë. Ashtu do të sillen edhe në Irak. Ata do të ngrenë pyetjen: çfarë mund të kontrollojmë; çfarë mund të dominojmë? Ku mund të ngremë qeverisje dhe një bazë operacionesh për periudhën afat-gjatë?”

Një pjesë e sukseseve të ISIL-it, thotë zoti Fishman, vjen nga aftësia e organizatës për të formuar aleanca me grupet paraushtarake suni, grupet fisnore, një prej të cilave është ushtria Naqshbandi, një grup që ka lidhje të forta me mbeturinat e partisë Baath-e të ish-diktatorit irakian Sadam Husein.

"Kjo nuk është një aleancë e natyrshme. Xhihadistët dhe partia Baathe nuk e pëlqejnë njëra-tjetrën. Ato kanë ideologji shumë të ndryshme, ide shumë të ndryshme se kush duhet të jetë në krye dhe çfarë rregullash duhet të dominojnë një shoqëri. Megjithatë ata kanë arritur të bashkëpunojnë, siç treguan ditët e fundit, për të realizuar këtë ofensivë ushtarake”.

Ai thotë se mënyra më e mirë për të sulmuar ISIL-in nuk është përmes operacioneve ushtarake, por përmes shpërbërjes së aleancave politike që e kanë forcuar këtë organizatë:

"Humbja e këtyre aleancave e dobësoi këtë grup në 2007 dhe tani është forcuar pas ringjalljes së tyre”.

Zyrtarët amerikanë po i bëjnë thirrje kryeministrit Nuri al-Maliki të formojë një qeveri të re, gjithëpërfshirëse që do të nxisë popullatën suni të analizojë dhe ndoshta të braktisë lidhjet e saj me ISIL-in. Ligjvënësi republikan Lindsey Graham tha se këto aleanca ka gjasa të ndikojnë tek operacionet ushtarake në Irak:

"Kemi një shans këtu që t’i nxisim sunitë të analizojnë situatën. Nëse ka një qeveri të re që i bën sunitë të ndjehen më optimistë, mendoj se mund të formohet një aleancë politike dhe ushtarake që do të ndryshonte inercinë e zhvillimeve në terren”.

Zoti Maliki nuk ka përfillur presionin e deritanishëm, duke thënë se çdo qeveri e re që nuk përfill rezultatin e zgjedhjeve të prillit do të përbënte “grusht shteti kundër kushtetutës dhe procesit politik”.

Sekretari i Shtetit John Kerry tha gjatë vizitës së fundit në Irak se mbështetja amerikane, që përfshin 300 këshilltarë ushtarakë, do të jetë intensive, e qëndrueshme dhe efektive nëse udhëheqësit irakianë marrin hapat e nevojshëm për të bashkuar vendin.

XS
SM
MD
LG