Lidhje

ISIL, si lindi dhe çfarë synon

  • Amanda Skot

Militantët irakianë të grupit të njohur si Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit, apo ISIL, kanë marrë nën kontoll një nga rafineritë më të mëdha të naftës në Irak, një bankë qendrore dhe të paktën 12 qytete, duke përfshirë qytetin e dytë më të madh, Mosulin. Për disa erdhi si e papritur hyrja e grupit në Irak, pas luftës që kishte zhvilluar në Siri. Mirëpo, marrja nën kontroll e territoreve irakiane ka qenë një nga përparësitë kryesore të ISIL-it.

Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit është një grup i përbërë nga ekstremistë suni të cilët synojnë krijimin e një shteti islamik që përfshin Irakun, Sirinë dhe territoreve tjera në Lindjen e Mesme.

ISIL u krijua pas shuarjes së grupit Shtetit Islamik i Irakut, që udhëhiqej nga Abu Musab al-Zarqawi, një militant jordanez i cili vdiq në vitin 2006. Pas vdekjës së tij, grupi u shpërbë dhe ridoli në skenë si al-Qaida e Irakut. Kur udhëheqësi i tanishem, Abu Bakr al- Baghdadi, i lindur në Irak, u lirua nga një burg amerikan në vitin 2008, ai rithemeloi grupin që udhëhiqej nga al-Zarqawi, duke shtuar fjalët “and al-Sham”, që do të thotë Levant apo Siria e Madhe.

Loretta Napoleoni, eksperte e financave të terroristeve, thotë se përfshirja e Sirisë në emrin e grupit është një vendim strategjik dhe financiar i Abu Bakr al- Baghdadit.

“Të njejtët njerëz që financuan al-Zarqawi-n po e financonin atë që të luftonte kundër regjimit të Assadit në Siri, sepse ata donin ndryshimin e qeverisjes në Siri. Mirëpo, ai i përdori këto fonde për të arritur synimet që kishte në Irak.”

Zonja Napoleoni thotë se financuesit e tij, që ajo i identifikon si individë nga nga Kuvaiti, Arabia Saudite, dhe Katari janë shfrytëzuar nga Abu Bakr al- Baghdadi, i cili sa kohë ishte në Siri i përdori fondet për të forcuar grupin e tij si dhe për të krijuar kapitlain e nevojshëm për kontrollin e zonave strategjike, në veçanti fushat e naftës të cilat ishin nën sundimin e grupeve tjera militante.

“Ata ia rishitën fushat e naftës regjimit të Asadit dhe në shkëmbim siguruan shuma të madhe parash. Pra, me këto fonde që kanë mbledhur gjatë katër viteve të luftës civile në Siri, ata janë kthyer në Irak për të sulmuar zonat Suni. Ata kanë krijuar një sistem ekonomik në të cilin janë plotësisht të pavarur.”

Dhe pikërisht kjo pavarësi ekonomike dhe ideologjike është arsyeja përse grupi al-Qaida i ka shkëputur lidhjet që kishte me grupin ISIL.

Ken Pollack, është ekpert i sigurisë kombëtare me Institutin “Brookings”.

“ISIL është shkëputur nga al-Qaida dhe kemi informacione që ka luftuar me ta në Irak. Anëtaret e Al-Qaides udhëhiqen nga Ayman al-Zawahiri dhe nga qendrat në Pakistan. ISIL nuk kontrollohet nga askush; ata janë të pavarur. Të përbashkët me al-Qaiden kanë një ideologji të helmët dhe ekstremiste të islamizmit. Ata janë të vendosur që të luftojnë Shiitët dhe momentalisht Iraku mbizotërohet nga një qeveri e tillë.”

Besohet që këta militantë kanë në dispozicion me mijëra luftëtarë, shumë nga të cilët besojnë në krijimin e një kalifati pa kufij. Iraku shpreson që ky grup do të ndalet para se situata të arrijë deri aty.
XS
SM
MD
LG