Lidhje

Shteti Islamik avancon drejt Kobanit


Raundi i fundit i goditjeve ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Siri nuk ka arritur të ndalë avancimin e ekstremistëve të Shtetit Islamik ndaj qytetit Kobani. Ndërkohë, Presidenti i Turqisë thotë se zona është në rrezik të uzurpohet nga ekstremistët, pas një beteje afro tre javëshe me luftëtarët kurdë.Presidenti i Turqisë thotë se qyteti kufitar sirian Kobani është në prag të pushtimit nga militantët e Shtetit Islamik. Luftëtarët kurdë kanë mbrojtur për tre javë qytetin nga sulmet e militantëve që po afrohen.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan paralajmëroi sot se grupimi ultra-radikal i militantëve suni do të marrë në zotërim hapësirën përgjatë kufirit Siri-Turqi, nëse nuk do të zmbrapsen nga trupa tokësore. Gjatë një vizite në një kamp refugjatësh Sirianë, ai u shpreh:

“Problemi i ISIS nuk mund të zgjidhet me bombardime ajrore. Në këto momente, qyteti i Kobanit është duke rënë... Ne e kishim paralajmëruar Perëndimin, dhe kishim kërkuar tre gjëra: një zonë ndalim-fluturimi, një zonë paralele sigurie, dhe trajnimin e rebelëve të moderuar sirianë.”

Zoti Erdogan gjithashtu u shpreh se Turqia do të ndërhyjë nëse do të rrezikohen ushtarët turq që ruajnë një monument historik në Siri. Deri më tani, Turqia nuk ka bërë asnjë lëvizje për t’u përfshirë në luftimet përtej kufirit.

Nga përtej kufirit, u vunë re dy flamuj të Shtetit Islamik që valëviteshin mbi pjesën lindore të Kobanit. Dy sulme ajrore ndodhën në zonë dhe u dëgjuan luftime sporadike me armë.

Grupi monitorues Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se ka dokumentuar vdekjet e 412 civilëve dhe luftëtarëve gjatë betejës tre-javore për Kobanin.

Ndërkohë që tymi ngrihej nga pjesët lindore dhe qendrore të Kobanit, dy ambulanca u lejuan të kalonin kufirin drejt pjesës turke.

Sipas zyrtarit të lartë kurd Asya Abdullah, luftëtarët e Shtetit Islamik vunë në përdorim armë të rënda dhe artileri për të goditur qytetin Kobani.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG