Lidhje

Si u ndërtua ISIS?


Rritja e fuqisë së grupit ektremist Shteti Islamik ishte mjaft e beftë. Ajo i kapi Shtetet e Bashkuara në befasi këtë verë, kur organizata mori nën kontroll pjesën më të madhe të Irakut verior, duke u zgjeruar më pas dhe në Sirinë fqinje. Por shumë analistë thonë se grupi – i cili u krijua nga radhët e al-Kaidës në Irak – ka qenë prej vitesh në organizim e sipër. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim rritjes së grupit ISIS dhe ndikimeve në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

Edhe para se forcat amerikane të iknin nga Iraku në vitin 2011, ISIS po ndërtonte një forcë ushtarake profesionale, duke nxitur trazira sunite dhe duke ndërmarrë fushata brutale bombardimesh dhe vrasjesh barbare. Grupi krenohet me 50 mijë luftëtarë në Siri dhe 30 mijë në Irak, duke rekrutuar 6 mijë të tjerë vetëm muajin e kaluar.

Ky është një grup mizoria e të cilit alarmoi dhe vetë al-Kaidën dhe që po shfrytëzon me sukses luftën civile në Siri dhe sundimin sektar të Irakut për të mbledhur armë, pasuri dhe ndikim me një shpejtësi të madhe, thotë David Kilcullen, arkitekti i shtimit të trupave luftarake në Irak në vitin 2006. Zoti Kilcullen aktualisht kryeson CAERUS, një firmë sigurie dhe e strategjive të zbilimit në Uashington. Sipas tij, ISIS ka lënë në hije al-Kaidën:

"Është organizatë shumë më e aftë ushtarakisht, është shumë më e pasur, ajo kontrollon territorin, kontrollon infrastrukturën kryesore dhe ky është me të vërtetë një kërcënim shumë më dramatik sesa ai që kemi parë nga al-Kaida. Ata kanë fituar miliona dollarë nga rrëmbimet dhe shpërblimet prej tyre. Tani ata janë grupi më i pasur terrorist në botë, me zotërime që kapin një vlerë prej më shumë se 450 miliardë dollarësh."

Si në Siri dhe Irak, ISIS po krijon embrione qeverisjeje duke ndjekur shembullin e Hezbollahut, i cili vepron si një organizëm i ngjashëm me një shtet në Liban.

Jorge Benitez është studiues i lartë në qendrën prestigjoze me bazë në Uashington Këshilli Atlantik.

"Tani po i shohim se si në qytetet dhe fshatrat që kanë zënë, si në Irak dhe në Siri, ata po ndërmarrin shumë prej funksioneve të shtetit. Ata po fillojnë të aplikojnë ato që ne quajmë ‘strategjitë e mendjeve dhe zemrave’."

"Ata janë duke mbledhur taksa, janë duke mbajtur në punë furra buke dhe po lejojnë njerëzit të shkojnë në shkollë. Ata janë duke drejtuar një sistem gjyqësor dhe janë gjithashtu duke administruar spitale dhe punë publike."

Shumë ekspertë thonë se elementi që tërheq drejt tij dhe bashkëpunim nga grupe të tjera është suksesi ushtarak i Shtetit Islamik. Por të tjerë thonë se ISIS nuk ka kaluar ndonjë provë të vërtetë ushtarake. Brian Jenkins, ekspert i terrorizmit, thotë se zona kryesisht sunite e Irakut ishte një pre e lehtë.

"Nuk është se ISIS ishte një forcë e pamposhtshme e cila mundi ushtrinë irakiane, thjesht ndodhi që ushtaria e Irakut iku, duke lënë një vakum që ISIS ishte në gjendje ta mbushte."

"Lajmi i mirë ishte që ata u mundën dhe humbën kontrollin e digës së Mosulit. Ky ishte frenimi i tyre i parë serioz. Është një shenjë e mirë. Tani, në qoftë se publiku në këto vende sheh që ata janë duke humbur ushtarakisht, shumë prej mbështetjes që ata kanë do të fillojë të largohet."

Analisti Jenkins, këshilltar i lartë në qendrën për politikat globale, RAND Corporation, paralajmëron se gjërat kanë ndryshuar në mënyrë të përhershme në Lindjen e Mesme: Iraku dhe Siria kanë pushuar përfundimisht së ekzistuari, thotë ai.

"Siria tani është një mozaik me territore të zotëruara nga qeveria dhe territore të mbajtura nga ky apo ai grup. Ndërsa Iraku de facto është i ndarë në zona sunite, shi'ite dhe zona kurde."

Zoti Jenkins thotë se edhe një ndërhyrje e gjerë ushtarake perëndimore nuk do të ishte në gjendje të ribashkonte Sirinë dhe Irakun. Maksimumi që mund të arrihet - argumenton ai - është që të "përmbahet kaosi" brenda zonës së konfliktit, i cili mund të zgjasë për dekada me radhë.

Por shumë ekspertë thonë se ISIS duhet të ndalet. Ata e shohin rritjen e ISIS-it si zhvillimin më të rëndësishëm në xhihadin ndërkombëtar, që nga 11 Shtatori 2001. Vëzhguesit thonë se ISIS ka marrë rolin e udhëheqësit së rrjeteve globale terroriste kundër Perëndimit. Grupe të mëdha ekstremiste – që nga Abu Saiaf dhe Jamaat Islamia në Azinë Lindore deri tek Boko Haram në Afrikë – e kanë zhvendosur besnikërinë e tyre nga al-Kaida tek kjo organizatë e re terroriste e pamëshirshme.

XS
SM
MD
LG