Lidhje

Studim i ri: Lidhjet mes Al Qaidës dhe ISIS

  • Henry Ridgewell

Ekzistojnë lidhje të drejtpërdrejta mes Al Qaidës dhe celulave të Shtetit Islamik në Evropë që kanë organizuar sulmet terroriste të muajve të fundit. Në këtë përfundim arrin një raport i fundit i grupit studimor “Henry Jackson Society”, i cili bën thirrje për një punë më të mirë në mbikqyrjen e personave që mund të rekrutohen, për të mos lejuar radikalizimin e tyre.

Studimi analizon rrjete të lidhura me al Qaidën që vepronin në Evropë në fillim të viteve 2000, në kohën kur filloi ndërhyrja e udhëhequr nga NATO-ja në Afganistan. Studimi i krahason këto rrjete me grupet e lidhura me ISIS që organizuan sulmet e fundit në Paris dhe Bruksel.

Studiuesit e kanë përsëritur vazhdimisht se shfaqen të njëjtat emra.

“Celulat e ISIS tërhoqën individë që dikur ishin përkrahës të aktivitetit të al Qaidës, dhe më pas filluan të stërviten e të përgatiten për sulmet e Brukselit dhe Parisit,” thotë studiuesi Rupert Sutton i grupit “Henry Jackson Society.

Ndër këta individë përfshihej Abdelhamid Abaaoud, koordinatori kryesor i sulmeve të Parisit në nëntor 2015 dhe Najim Laachhraoui, një ndër prodhuesit kryesorë të bombave i cili kreu sulmin vetëvrasës në aeroportin e Brukselit në mars.

“Ata kishin lidhje me një numër individësh që më parë kishin shfaqur indoktrinim nga al Qaida, si dhe me një klerik që quhej Khalid Zerkani, i cili kishte marrë rolin e babait për shumë prej tyre. Ai në fakt njihej si Baba Viti,” thotë zoti Sutton.

Shumë nga anëtarët e lartë të ish-rrjeteve të al Qaidës kishin shkuar për të luftuar në Afganistan vite më parë dhe e kishin përdorur përvojën e tyre për të përgatitur celulat terroriste që po krijoheshin në Evropë, në një kohë kur lufta në Siri po shndërrohej në boshtin ideologjik të xhihadistëve.

“Ata ofronin njohuri për prodhimin e bombave, për krijimin e rrjeteve, por edhe këshilla se si të futeshin në zona konflikti dhe të stërviteshin, si të merrnin përvojë luftarake dhe si ta shfrytëzonin këtë përvojë për të organizuar sulme në baza individuale,” thotë zoti Sutton.

Autorët e raportit thonë se eksperienca luftarake është shumë e rëndësishme, pasi pjesa më e madhe e sulmeve terroriste të kryera në Evropë nga individë të lidhur me ISIS ishin vepra të personave të kthyer nga zonat e konfliktit në Siri. Por shpesh shërbimet e zbulimit nuk janë në dieni të këtyre individëve:

“Në disa raste këta janë individë që nuk janë ndaluar ndonjëherë nga forcat e rendit. Pra megjithëse ka lidhje mes dy rrjeteve terroriste, personat që rekrutohen nga xhihadistët veteranë mund të jenë ndaluar nga policia vetëm për krime të vogla, ordinere,” thotë zoti Sutton.

Autorët e raportit thonë se lidhjet mes dy rrjeteve dëshmojnë nevojën për të përmirësuar punën kundër radikalizimit në burgje, si dhe për të gjetur mënyra të tjera për të mos lejuar që këta individë të rekrutohen nga rrjetet terroriste.

XS
SM
MD
LG