Lidhje

Historia dhe strategjia e ISIS


Një analist amerikan i ekstremizmit të dhunshëm dhe Islamizmit radikal thotë se përqendrimi tek shtet-ndërtimi, përdorimi i frikës dhe vizioni i ardhjes së fundit të botës janë arsyet që i vetëquajturi Shteti Islamik dështoi kur u krijua fillimisht në Irak, pothuajse një dekadë më pare, por edhe pse grupi terrorist pati sukses më pas.

Libri "Apokalipsi i ISIS-it"
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:33 0:00

William McCants, drejtor i Projektit për Marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Botën Islamike në Institutin Brookings, është autor i librit “Apokalipsi i ISIS-it: Historia, strategjia dhe vizioni i fundit të botës i Shtetit Islamik” që doli në treg të martën. Libri i hedh një vështrim të detajuar fillesave të Shtetit Islamik në vitin 2006 dhe rigjallërimit të mëpasshëm pasi trupat amerikane u tërhoqën nga Iraku në vitin 2011.

Analisti McCants thotë se themeluesit e grupit, kur u shndërrua nga Al-Qaida në Irak në Shtetin Islamik, besonin vërtet se po vinte fundi i botës. Por ai shton se është më e vështirë të thuhet nëse edhe udhëheqësit e rinj e besojnë një gjë të tillë.

“Ndoshta nuk do ta dime kurrë nëse ata po e bëjnë një një të tillë për arsye cinike, por nuk ka dyshim që është një instrument efektiv rekrutimi”, thotë ai.

“Interpretimi i tyre i apokalipsit ka të bëjë më shumë me rishfaqjen e Mesias sesa tek institucioni i Kalifatit dhe ndërtimit të shtetit si përmbushje e profecisë. Në propagandën e tyre publike, ata theksojnë kthimin e kalifatit, ose mbretërisë së Zotit mbi Tokë, si plotësim i profecisë dhe inkurajojnë të rinjtë myslimanë në gjithë botën që të luftojnë për të”.

Zoti McCants thotë se ndërsa al-Kaida donte të siguronte përkrahje në botën myslimane, Shteti Islamik përdor brutalitetin dhe frikën për të mbajtur pushtetin.

“Shteti Islamik bën armiq nga të gjitha anët dhe urrehet nga shumica e njerëzve që po përpiqet të qeverisë. Por kjo është gjithashtu pjesë e strategjisë së ISIS-it. Ata nuk po përpiqen të bëjnë miq. Ata besojnë se brutaliteti dhe frika janë mënyra më e mirë për të nënshtruar popullsitë ndaj sundimit të tyre”.

Analisti shton se për dy vjet kjo strategji ka funksionuar.

Luftëtarët e Huaj

Por çfarë i tërheq luftëtarët e huaj që të bashkohen me Shtetin Islamik?

Që kur filloi konflikti në Siri, në vitin 2011, mbi 20 mijë luftëtarë të huaj, të paktën 3 mijë e 400 prej të cilëve janë perëndimorë, kanë shkuar në Siri nga mbi 90 vende, sipas shifrave të njohura nga zyrtarët.

Autori McCants thotë se shumica e gjerë e të rekrutuarve janë nën 35 vjeç dhe tërheqja vjen pjesërisht nga intrigimi me një rebelim kundër kulturës së përgjithshme.

“Shteti Islamik provokon me qëllim një krizë identiteti mes myslimanëve, veçanërisht atyre që jetojnë në Perëndim. Kryen akte makabre dhe pastaj i justifikon me shkrimet e shenjta myslimane. Dhe kështu të rinjtë kur përballen me këto interpretime, duhet të vendosin: ‘A përfaqëson kjo vërtet besimin tim, apo është krejtësisht absurde?’ Shpesh është hera e parë që ata dëgjojnë për këto shkrime të shenjta që citohen nga Shteti Islamik. Kjo krijon një hapësirë në mendje për shumë nga këta të rinj”.

Roli i Shteteve të Bashkuara

Disa fajësojnë pushtimin e Irakut në vitin 2003 për krijimin e Shtetit Islamik, ndërsa të tjerë thonë se shkak ishte tërheqja e trupave amerikane në vitin 2011 që la një zbrazëti që u mbush nga ekstremistët. Për analistin McCants, të dyja qëndrojnë.

“Nuk do të kishte Shtet Islamik nëse Shtetet e Bashkuara nuk do të kishin ndërhyrë. U krijua një mundësi që organizata të themelohej. Dhe dhuna që pasoi i dha organizatës oksigjen për të funksionuar. Po ashtu, Shtetet e Bashkuara kontribuan në ringritjen e ISIS-it kur tërhoqi gjithë trupat, përveç një pjese të vogël nga ambasada në Irak. Nuk kishte më një forcë kundërterroriste që të vepronte kundër Shtetit Islamik”.

Ai shton se Uashingtoni po ashtu gaboi kur nuk u përpoq që herët në konfliktin në Siri të krijonte një opozitë të gjerë dhe të moderuar ndaj regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad.

“Mendoj se Shteti Islamik fuqizohet sa herë që ka kaos dhe mungesa e një pranie amerikane kur kishte kaos, luajti rol në ngritjen e Shtetit Islamik”.

Çfarë vjen më pas?

McCants thotë se problemi tani është që eliminimi i organizatës nuk është përparësi kryesore për shumë nga qeveritë e rajonit.

Por analistja Kimberly Kagan që dëshmoi në Komisonin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, thotë se Uashingtoni ka ende mundësi të veprojë kundër grupit terrorist.

“Shtetet e Bashkuara duhet të përdorin forcën ushtarake, së bashku me diplomacinë, të gjitha instrumentat kombëtare për të asgjësuar aftësinë e ISIS-it për të luftuar sepse është një armik apoliptik dhe vullneti i tij është vështirë të mposhtet”.

Në të njëjtën seancë, Brian Katulis, analist i Qendrës për Përparim Amerikan, tha se politika e mbështetjes tek goditjet ajrore kundër ekstremistëve nuk është e mjaftueshme.

“Mendoj se mënyra më e mire për të përballuar këto sfida është një përpjekje më e fuqishme dhe e koordinuar nga Shtetet e Bashkuara për të sinkronizuar të gjitha aspektet e strategjisë kundër ISIS dhe për një politikë më të integruar ndaj rajonit”.

Shtetet e Bashkuara mund të jenë duke shqyrtuar pikërisht këtë mundësi, pas dështimit të një programi prej 500 milionë dollarësh për stërvitjen e forcave të moderuara siriane. Administrata e Presidentit Obama, njoftohet se po zhvillon plane për një fushatë më agresive ushtarake në Siri, me synimin për të rritur presionin ndaj Shtetit Islamik.

Ky do të ishte një ndryshim i rëndësishëm në strategjinë amerikane që gjatë vitit të fundit ka pasur pasur kryesisht prioritet luftën ndaj Shtetit Islamik në Irak.

XS
SM
MD
LG