Lidhje

ISIS në Arabinë Saudite


Arabia Saudite arrestoi sot më shumë se 400 persona, shumica sauditë, të dyshuar për lidhje me grupimin militant Shteti Islamik.

Një deklaratë e Ministrisë së Brendshme saudite thotë se arrestimet ishin pjesë e një operacioni më të gjerë për të parandaluar sulmet e planifikuara prej Shtetit Islamik ndaj xhamive, një misioni diplomatik, forcave të sigurisë, dhe ndërtesave qeveritare në provincën Sharurah.

Njoftimi u bë një ditë pas sulmit të Shtetit Islamik në një treg plot me njerëz në provincën Diyala të Irakut, ku u vranë 115 njerëz.

Ministria e Brendshme akuzon të arrestuarit se kanë kryer dy sulme vetëvrasëse në muajin maj, kur u vranë 25 persona në xhamitë shiite në pjesën lindore të vendit me rezerva të mëdha nafte.

Një tjetër saudit, i ndihmuar nga disa të tjerë, hodhi veten në erë në qershor në një xhami shiite dhe vrau 27 besimtarë.

Qeveria i akuzon edhe për një sulm në nëntorin e kaluar që la tetë besimtarë të vrarë në fshatin Ahsa.

Kur mori përgjegjësinë për sulmet, Shteti Islamik pati deklaruar se objektiv ishin “heretikët shiitë”.

Vitin e kaluar, Arabia Saudite dhe vendet e saj fqinje sunite iu bashkuan një koalicioni ushtarak për të bombarduar ISIS-in në Siri. Kjo fushatë ka ngritur shqetësimin për hakmarrje të mundshme brenda Mbretërisë Saudite.

XS
SM
MD
LG