Lidhje

Një vit pas fillimit të sulmeve ndaj ISIS-it


Gati një vit më parë, avionët luftarakë amerikanë kryen sulmet e para ajrore në Irak kundër grupit terrorist të njohur si Shteti Islamik. Që atëherë, Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar përpjekjet dhe udhëheqësit e Shtetit Islamik janë përgjigjur, duke e bërë të paqartë fituesin e kësaj lufte.

Pak më shumë se një vit më parë, pati thirrje për ndihmë.

Thirrjet për ndihmë, të kombinuara me imazhet e para të përparimit të Shtetit Islamik në mbarë Irakun, bënë që Presidenti amerikan Barak Obama të reagojë:

"I kam kërkuar ushtrisë sonë të kryejë sulme që kanë në shënjestër autokolonat terroriste të ISIL-it".

Që nga gushti i vitit 2014 ka patur më shumë se 5900 sulme ajrore të koalicionit kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, duke goditur më shumë se 8700 objektiva.

Shtetet e Bashkuara janë ndihmuar nga forcat në terren sidomos nga luftëtarët kurdë në Irakun verior dhe nga forcat irakiane, disa prej të cilëve kanë marrë trajnime shtesë nga ushtarakët amerikanë.

Megjithatë, luftëtarët e Shtetit Islamik nuk janë frenuar. Pas humbjeve në disa pjesë të Irakut, ata janë zgjeruar në zona të tjera.

"Ashtu si në çdo përpjekje ushtarake, do të ketë periudha të përparimit, por edhe hapa prapa, siç e kemi parë me përparimin e ISIL-it në Ramadi të Irakut dhe Sirinë qendrore e jugore", - tha Presidenti Obama.

Të tjerët thonë se strategjia kundër ISIL-it ka të meta:

"Avionët tanë mund të godasin kudo në Siri apo Irak brenda një kohe mjaft të shkurtër, por ne nuk jemi duke bërë asgjë për të penguar rritjen e Shtetit Islamik".

Zyrtarët amerikanë thonë se sulmet ajrore kanë vrarë ose plagosur rreth 15 mijë militantë të Shtet islamik, duke shtuar se grupi ka arritur të grumbullojë deri në 30 mijë luftëtarë nga një fluks i qëndrueshëm i luftëtarëve të huaj.

Daveed Gartenstein-Ross, Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive:

"Unë mendoj se ka një përceptim se Shteti Islamik ka dominuar këtë betejë deri më tani. Ata kanë një aparat propagandistik që nxjerrë në pah fitoret dhe i minimizon humbjet".

Megjithatë, disa analistë të tjerë besojnë se glorifikimi i dhunës nga Shtetit Islamik ka filluar të bëhet kundërproduktiv.

Max Abrahms është profesor në Universitetin Northeastern:

"Këto imazhe, në fakt janë ofenduese dhe kundërproduktive për grupin, sepse ato do të pakësojnë numrin e rekrutëve dhe në vërtetë kjo tashmë po ndodhë".

Një vit pas sulmeve të para ajrore në Irak, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre ende nuk kanë arritur të zbrapsin përparimin e Shtetit Islamik, dhe disa zyrtarë paralajmërojnë se fitorja mund të kërkojë vite.

XS
SM
MD
LG