Lidhje

Përpjekjet për zgjerimin e koalicionit kundër ISIS-it


Pas sulmeve të Parisit, vendet aleate po vazhdojnë përpjekjet për të zgjeruar koalicionin ndërkombëtar që lufton kundër Shtetit Islamik. Kryeministri britanik David Cameron i bëri thirrje vendit të tij t’i bashkohet fushatës ajrore të koalicionit kundër ISIS-it në Siri, ndërkohë që Kryeministri francez Hollande viziton Moskën.

Në një fjalim në parlamentin britanik, Kryeministri David Cameron i bëri thirrje urgjente vendit të tij që t’i bashkohet koalicionit të fushatës ajrore kundër Shtetit Islamik në Siri.

“Nuk duhet ta lëmë sigurinë tonë vetëm në dorën e aleatëve. Nëse besojmë se veprimi na shërben, atëherë duhet t’u bashkohemi aleatëve dhe jo të rrimë mënjanë. Nga ky këndvështrim moral, lind edhe një pyetje thelbësore: Nëse nuk veprojmë tani, kur vendi mik dhe aleat, Franca, është goditur në këtë mënyrë, atëherë kur do të veprojmë?”

Zoti Cameron përmendi se i është kërkuar edhe nga Presidenti amerikan Barack Obama dhe nga Kryeministri francez Hollande që Londra t’i bashkohet fushatës ajrore. Opozita reagoi:

“Duke rikujtuar ndërhyrjet ndërkombëtare në Irak, Afganistan, dhe Libi, a e pranon kryeministri se një fushatë ajrore britanike në Siri mund të shkaktojë me tepër ‘pasoja të pamenduara’, siç i quan Presidenti Obama, dhe se një fitore përfundimtare mbi ISIL-in mund të arrihet vetëm nga sirianët dhe forcat vendase në rajon?”

Përballë kundërshtimeve të kreut të opozitës, Jeremy Corbyn, zoti Cameron qartësoi se nuk synon dërgimin e trupave britanike në terren dhe se Britania ka nxjerrë tashmë mësime nga gabimet e së kaluarës.

XS
SM
MD
LG