Lidhje

ISIS-i po rigrupohet në disa zona të Irakut


Shpërthimi i një makine bombë në lindje të Mosulit, po konfirmon frikën e disa analistëve se ofensiva kundër Shtetit Islamik po i shkakton humbje ushtarake të grupit terrorist, por jo domosdoshmërisht edhe humbje politike.

Më shumë se 190 ditë pasi forcat irakiane të sigurimit të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara nisën fushatën e tyre për të larguar luftëtarët e Shtetit Islamik nga Mosuli, militantët mbesin në disa zonë në pjesën perëndimore të qytetit. Muajin e kaluar ISIS shpërtheu një makinë bombë në lagjen Zuhur të Mosulit lindor, që la pas vetes katër të vrarë dhe 14 të plagosur.

Pjesë të Mosulit ende nuk janë pastruar nga luftëtarët e ISIS-it

Zuhur mendohej se ishte pastruar nga militantët sunitë qysh në muajin janar, kur Bagdadi shpalli Mosulin lindor "të çliruar plotësisht", por bombardimet dëshmuan se celulat aktive të ISIS-it ende funksionojnë atje, pavarësisht përpjekjeve të zellshme nga personeli i sigurisë irakiane për t'i zbuluar ato.

"Jashtë, por jo të shkatërruar", është mënyra se si Kyle Orton, një analist i “Shoqërisë Henry Jackson”, një grup ekspertësh me bazë në Londër, e përshkruan pozicionin strategjik të grupit terrorist. Zuhur "është pjesë e një modeli të sulmeve që sugjerojnë se vetë operacioni i Mosulit ishte i nxituar dhe më e rëndësishmja është që ISIS tashmë po e rimerr veten në zonat e çliruara", paralajmëroi ai në një studim të këtij grupi.

Ai paralajmëron se "humbja e territorit nga ana e ISIS-it nuk duhet parë si masë e vetme e vlerësimit se si po shkon kjo luftë". Zyrtarët e SHBA-së dhe Irakut vlerësojnë se ISIS-i tani kontrollon vetëm shtatë për qind të vendit, nga rreth 40 për qind sa kontrollonte më parë.

Humbje ushtarake, por jo politike për forcat e ISIS-it

ISIS-i shpreson të imitojë organizatat pararendëse xhihadiste, të cilat ishin në gjendje të përballonin mposhtjet ushtarake që iu shkaktuan atyre nga forcat amerikane gjatë viteve 2007-2008.

Grupi po shfrytëzon thellësinë e vet strategjike në territore të thella t si në Irakun perëndimor dhe lindor - në luginën e lumit Eufrat që kufizohet me Sirinë, shkretëtirën e Jalamit në lindje të Samarrës dhe në malet Hamrin - për të zhvilluar sulme të tipit “godit dhe ik”, sikur në një pritë të 23 prillit ndaj një autokolone ushtarake të qeverisë afër qytetit të Rutbës në Irakun perëndimor, ku mbeten të vdekur 10 ushtarë irakianë.

Zëdhënësi zyrtar i ISIS, Abu Mohammad al Adnani, para vdekjes së tij në një sulm me dron, predikoi strategjinë e ISIS-it pas ndodhive në Mosul në një audio mesazh të vitit 2016 për ndjekësit e tyre, duke iu referuar dukshëm ngjarjeve të vitit 2007. Ai thoshte : “A ishim mundur ne kur humbëm qytetet në Irak dhe ishim në shkretëtirë pa ndonjë qytet apo tokë? ... Është e njëjta, nëse Allahu na bekon me konsolidim, ose ne hyjmë në shkretëtirë të zhveshur, të zhvendosur dhe të ndjekur ".

Prania e ISIS-it në Kirkuk

ISIS është rigrupuar në provincën e pasur me naftë të Kirkukut. Militantët ende kontrollojnë gjysmën e provincës. "Shumë prej këtyre terroristëve kanë arritur të ikin nga Mosuli, të largohen nga vende të tjera dhe të rigrupohen", vërejti kohët e fundit Najmidin Karin, guvernator i provincës së Kirkuk.

Prania e xhihadistëve në Kirkuk nuk u sfidua në ofensivën anti-ISIS, argumentojnë Orton dhe të tjerë. Edhe pse të rrethuar nga forcat kurde, peshmerga, që nga muaji gusht i vitit të kaluar, luftëtarët e ISIS-it duket se kanë pak vështirësi të lëvizin brenda dhe jashtë për të zhvilluar sulme nga Hawija në qytetet e afërta.

"Në kushte të thjeshta ushtarake, Hawija duhet të ishte pastruar para Mosulit", thotë Orton. Kohët e fundit, komandantët irakianë njoftuan se po shqyrtojnë një sulm ndaj qytetit, që është me shumicë dërrmuese arabe sunite, duke përdorur milicitë shiite. Kjo do të vazhdonte, argumenton Orton, "një nga aspektet më të këqija të fushatës kundër ISIS-it, domethënë përdorimi i forcave demografikisht të papërshtatshme për pastrimin e zonave lokale që kanë nënkuptuar se humbjet ushtarake të ISIS nuk janë humbje politike".

Kur është fjala për Mosulin, Bagdadi ka arritur të parandalojë milicitë shiite që të hyjnë në qytet, duke lejuar që ofensiva brenda të bëhet nga forcat e rregullta të sigurisë irakiane.

Falë trajtimit brutal të grupeve terroriste ndaj civilëve, fluksi shiit në Mosul nuk i ka kthyer sunnitët në masë kundër forcave të sigurisë. Por viktimat civile në rritje në perëndim të Mosulit nga sulmet ajrore të koalicionit po fillojnë të zemërojnë sunitët lokal.

Në Sirinë fqinje, analisti Çarls Lister nga Instituti i Lindjes së Mesme në Uashington, gjithashtu brengoset rreth ofensivës anti-ISIS dhe sulmit ndaj qytetit Raqqa, duke përsëritur hapat taktik si në Irak, veçanërisht nëse forcat kurde përdoren për sulmin ndaj kryeqytetit de facto të ISIS-it . "Shtetet e Bashkuara nuk kanë nevojë të nxitojnë në Raqqa. Duke bërë kështu rrezikohet arritja e qëllimit afatshkurtër – marrjen e qytetit - por u siguron grupeve të ISIS-it një fitore të paçmueshme narrative", tha ai javën e kaluar gjatë një dëshmie në Kongres.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG