Lidhje

Si do të ishte koalicioni kundër ISIS?

  • Scott Stearns

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry po udhëheq përpjekjet diplomatike për të ndërtuar një koalicion ndërkombëtar kundër militantëve të Shtetit Islamik, përgjegjës për vrasje të civilëve në Siri dhe Irak. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Departamentin e Shtetit Scott Stearns tregon se si mund të jetë ky koalicion.

Shtetet e Bashkuara po punojnë për të nxitur më shumë sesa vetëm sulme ajrore kundër luftëtarëve të Shtetit Islamik në Irak, duke synuar ndërtimin e një koalicioni të gjerë dhe kundër militantëve me bazë në Siri.

Duke folur në Estoni – një ndalesë në rrugën e tij drejt Uellsit, ku do të zhvillohet një takim i NATO-s – Presidenti Obama tha se një koalicion kundër ISIS-it, është i komplikuar nga vakumi i pushtetit në Siri:

"Do të duhet kohë që ne të jemi në gjendje të formojmë një koalicion rajonal, i cili do të jetë i nevojshëm për të arritur tek komunitetet sunite në disa nga zonat që ISIS ka nën kontroll, për të pasur kështu aleatë në terren, përveç sulmeve ajrore që kemi kryer deri tani. Pra, gjëja e rëndësishme është kjo: objektivi ynë është i qartë dhe ai është dëmtimi dhe shkatërrimi i ISIS-it, në mënyrë që të mos jetë më një kërcënim," u shpreh Presidenti.

Një koalicion i tillë do të përfshijë partnerë që do të kontribuojnë në mënyra të ndryshme, thotë analistja Nora Bensahel:

"Shtetet e Bashkuara po punojnë intensivisht tani, duke u përpjekur të ndërtojnë një koalicion vendesh që kanë interesa të ngjashme kundër ISIS-it, për të forcuar veprimet diplomatike kundër grupit, mundësisht duke nxitur dhe masa ekonomike ndaj tij, si sanksione financiare apo gjëra të tjera. Jam e sigurt që mes këtyre vendeve të koalicionit do të ketë shkëmbim të informacioneve të zbulimit dhe ndoshta disa nga këto shtete mund të lejojnë kryerjen e sulmeve ajrore," tha studiuesja e Qendrës për një Siguri të re Amerikane.

Të gjitha këto veprime, thotë ajo, duhet të koordinohen me forcat irakiane të cilat po përballen me ISIS-in në terren.

"Në fund të fundit të vetmet forca që do të mund të zmbrapsin Shtetin Islamik në çfarëdo afati kohor janë trupat lokale dhe kjo është arsyeja pse shohim përpjekje për trajnim dhe këshillim. Kjo është ajo që Shtetet e Bashkuara po bëjnë," thotë znj. Bensahel.

Këto forca irakiane do t’i përgjigjen një qeverie të re në Bagdad e cila mbështetet nga Irani, që gjithashtu është kundër Shtetit Islamik. Një armik i përbashkët për Teheranin dhe Uashingtonin, mund të komplikojë ndërtimin e një koalicioni të gjerë, thotë ish-ambasadori amerikan në Irak Ryan Crocker:

"Gjendemi në një moment tejet delikat në të gjithë rajonin, ndërkohë që irakianët përpiqen të formojnë një qeveri që duhet të jetë gjithëpërfshirëse aq sa të mund të lejojë rikthimin e sunitëve në proces. Unë mendoj se çdo bashkëpunim i hapur mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara mund të krijojë më shumë probleme sesa mund të zgjidhë."

Një rol aktiv i Iranit mund të shqetësojë Arabinë Saudite dhe Egjiptin, dy anëtarë të rëndësishëm të një koalicioni të mundshëm kundër Shtetit Islamik, thotë profesori i Universitetit Amerikan Akbar Ahmed, sidomos për shkak se Uashingtoni ka nevojë për më shumë sesa fuqi ushtarake.

"Sjelljet barbare, prerjet e kokave, trajtimi i minoriteteve, trajtimi i të krishterëve e kështu me radhë, janë gjëra që duhet të kontrollohen në mënyrë efektive. Por nëse Shtetet e Bashkuara mendojnë se mund t’i kontrollojnë këto sjellje thjesht duke hedhur disa bomba dhe disa raketa, unë nuk mendoj se është e mundur," tha ai.

Zoti Ahmed thotë se administrata e Presidentit Obama duhet të jetë e kujdesshme që të mos bëjë të njëjtat gabime që ai thotë se Shtetet e Bashkuara bënë në luftën kundër Sadam Huseinit, duke çuar në krijimin e militantëve irakianë sunitë të pakënaqur, të cilët ndihmuan në themelimin e Shtetit Islamik.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG