Lidhje

Strategjia kundër Shtetit Islamik

  • Scott Stearns

Gati 30 vende kanë premtuar të koordinojnë luftën kundër militantëve të Shtetit Islamikë në Irak. Premtimi i tyre për të ndihmuar qeverinë e Irakut erdhi në një takim në Paris, ku Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry ka punuar për ndërtimin e një koalicioni të gjerë.

Në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamikë, deri më tani vetëm forcat amerikane dhe irakiane janë duke marrë pjesë në përpjekjet për zbrapsjen e militantëve në drejtim të kufirit sirian.

Presidenti i Irakut Fouad Massoum thotë se lufta kundër Shtetit Islamik duhet të jetë më e madhe dhe më e gjerë.

"Ne duhet t’i ndjekim ata, kudo që janë, duhet të ndërprejmë financimin e tyre dhe duhet t’i ndjekim ata me ligje që u ndalojnë njerëzve bashkëpunimin me ta. Ne duhet t’i sjellim ata para drejtësisë dhe të ndalim përpjekjet e luftëtarëve në vendet fqinje për t’iu bashkuar atyre".

Presidenti francez Francois Hollande thotë se kërcënimi nga Shteti Islamik nuk mund të injorohet nga bashkësia ndërkombëtare.

"Ne duhet të veprojmë së bashku. Ne duhet të mbështesim fuqishëm autoritetet irakiane dhe nuk duhet humbur kohë".

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry arriti në këto bisedime pas takimeve në Irak, Jordani, Arabinë Saudite, Turqi, dhe Egjipt, që kishin për qëllim të siguronin mbështetje nga udhëheqësit arabë kundër ISIS-it. Zyrtarët amerikanë thonë se është veçanërisht e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të kenë aleatë myslimanë për të minuar ideologjinë ekstremiste myslimane të këtij grupi. Profesorja e Universitetit Georgetown, Nora Bensahel thotë se ideologjia është një kërcënim rajonal.

"Shumica e vendeve në rajon, pavarësisht nëse ato janë suni apo shia, aleatë apo armiq të Shteteve të Bashkuara, kanë interes të frenojnë ISIS-in, sepse ai është një grup i organizuar mirë me një ideologji brutale ekstremiste madje edhe në bazë të standardeve rajonale".

Analisti i Institutit Amerikan të Paqes, Steve Heydemann thotë se Shteti Islamik gjithashtu kërcënon Sirinë, dhe aleatët e saj, Rusinë dhe Iranin, të cilat nxitën krijimin e grupit si një kundërpeshë ndaj kundërshtarëve më të moderuar të regjimit të Assadit.

"Kjo është një pyetje e rrezikut moral. Ata sillen keq. Por ne mund të angazhohemi, mund të ndërhyjmë në mënyra që do të duken se nuk i ndëshkojnë ata për sjelljet e tyre të këqija".

Këto bisedimet u përqëndruan në ndërtimin e një koalicioni kundër militantëve në Irak, jo në Siri, ku ata kanë bazën. Sarah Margon e organizatës Human Rights Watch thotë se kjo qasje trajton vetëm një pjesë të problemit.

"Çdo përgjigje ndaj situatës në Irak duhet të përfshijë edhe Sirinë. Përndryshe ajo që do të shohim është një tërheqje të ISIS-it dhe mobilizim të tyre nga ana tjetër e kufirit".

Udhëheqësit irakianë po bëjnë thirrje për sulme ajrore në Siri, por zyrtarët amerikanë thonë se aleatët e tyre evropianë dhe ata arabë nuk janë të gatshëm të marrin në konsideratë sulmet në Siri. Duke marrë parasysh zotimin e Presidentit Obama për të sulmuar luftëtarët e Shtetit Islamik, kudo që janë, zyrtarët amerikanë thonë se, kur është fjala për sulmet ajrore siriane, ata do të kenë gati justifikimin e tyre ligjor për një veprim të tillë kundër një shteti sovran që nuk e ka kërkuar këtë ndërhyrje ushtarake.

XS
SM
MD
LG