Lidhje

Mposhtja e ISIS ende larg


Një komandant i forcave kurde Peshmerga është ulur në divan në selinë e komandës së tij në qytetin Sulejmanie. Në një tavolinë pranë, ka një pjatë me fruta të thara dhe arra. Pranë tavolinës së punës ka dy pushkë snajper.

“Sa më shumë reziston ISIS, aq më tërheqës bëhet për të rinjtë e pashpresë, për të rinjtë e shtypur nga qeveria e këtushme në Siri dhe vende të tjera,” thotë ai me një të folur ku dallohet qartë theksi anglez.

“ISIS nuk do të largohet vullnetarisht. Nuk do të marrë fund kur të marrim qytetin e Rakës apo Mosulin. Lufta do të vazhdojë,” paralajmëron komandanti.

Analiza e situatës disa javë më parë nga Polad Jangi, kreu i operacioneve anti-terroriste në zonën Kirkuk-Sulejmanie, është edhe më e zymtë se analiza që japin publikisht zyrtarët amerikanë, përfshirë edhe Presidentin Obama.

Por analiza e komandantit Jangi mund të jetë edhe më realiste, siç shprehen zyrtarë ushtarakë dhe të zbulimit të cilët thonë se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka shënuar përparime reale, por këto përparime janë shënuar në periferi të territorit të kontrolluar nga ISIS dhe se zonat ku rreth zemra e organizatës nuk kanë marrë ndonjë goditje dërrmuese.

Angazhim Selektiv

Ajo që i shqetëson zyrtarët është se megjithë që ISIS po humbet terren, pasi ka humbur 40% të territorit të kontrolluar në Irak dhe të paktën 10% të territorit në Siri, kjo organizatë po mëson shumë nga humbjet që ka pësuar. Dikur ky rrjet i shpërndante nga të gjitha anët forcat dhe energjitë dhe angazhohej në çdo konflikt të mundshëm, por tani po i zgjedh betejat që do të zhvillojë me më shumë kujdes.

“Tani ISIS po vendos përparësitë e angazhimit, duke u përqëndruar në mbrojtjen e territorit të Mosulit dhe Rakës. Pritet që ata të zhvillojnë një luftë të fortë për t’i mbrojtur këto territore,” thotë një zyrtar amerikan në kushte anonimiteti.

Ekziston shqetësimi se sa më e vështirë të bëhet situata për ISIS, aq më e rrezikshme do të bëhet kjo organizatë.

“ISIS ka humbur udhëheqës të lartë, mijëra luftëtarë dhe territor. Pa diskutim kjo organizatë do të përpiqet ta kompensojë këtë humbje,” thotë një zyrtar amerikan i zbulimit.

Dhe kjo organizatë e ka tashmë përvojën për të kompensuar humbjet:

“ISIS ka një skemë veprimesh që e ndjek në operacionet e mbrojtjes për të ruajtur territorin bazë të kalifatit,” thotë Harleen Gambhir, analiste për anti-terrorizmin në Institutin e Studimit të Luftës. “Kjo organizatë ka përvetësuar artin e përçarjes së forcave ushtarake të kundërshtarit në betejë me irakianët”.

Rekrutime të Reja

Humbjet e vazhdueshme në radhët e ISIS nuk duket se kanë sjellë efektin e kërkuar në ndaljen e këtij grupi. Mbi 25 mijë luftëtarë të ISIS mund të jenë vrarë nga goditjet e koalicionit ndërkombëtar në Irak dhe Siri. Por deri kohët e fundit, sipas analizës së zyrtarëve ushtarakë dhe të zbulimit, ISIS ishte në gjendje të tërhiqte deri në 1000 ushtarë të rinj në muaj. Këto rekrutime ishin thuajse në të njëjtat ritme me humbjet.

Edhe me intensifikimin e fushatës ajrore, me shtimin e forcave speciale amerikane dhe përforcime të reja me forca irakiane dhe siriane në terren, ISIS mbetet një forcë madhore.

Sipas përllogaritjeve të fundit të shërbimeve amerikane të zbulimit, ISIS ka rënë nga 32 mijë ushtarë në radhët e tij në 19 mijë-25 mijë.

Megjithatë, raportet e fundit se ISIS është detyruar të shfrytëzojë fëmijë si ushtarë mund të jenë të ekzagjeruara.

“Ideja që mund të kenë filluar të përdorin fëmijë si ushtarë është shumë shqetësuese, por ISIS mbetet në masë të madhe një organizatë që varet tek rekrutët në moshë të rritur nga vende të tjera dhe nga popullata që ka nën kontroll. Nuk ka gjasa që ISIS të mbështetet shumë tek fëmijët për të mbushur radhët luftarake,” thotë një zyrtar amerikan i anti-terrorizmit.

Numri i të Vrarëve

Zyrtarë dhe analistë amerikanë paralajmërojnë që të mos shihet numri i luftëtarëve të vrarë si shenjë suksesi.

“Nëse analizojmë ofensivën në Anbar që u udhëhoq nga Abu Omar al Shishani në 2014, ai veproi me një numër relativisht të vogël njerëzish për të zaptuar territor të madh,” thotë Daveed Gartenstein-Ross, analist në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.

“Ata janë përballë një situate të vështirë, por nuk do t’i konsideroja të mundur, pasi ende janë në gjendje të na habisin dhe të marrin territore të reja,” thotë analisti.

Audienca Bazë

Një anketë e nxjerrë këtë javë nga ASDA’A Burson-Marsteller bazuar në intervista të drejtpërdrejta me 3500 vetë, zbuloi se të rinjtë në 16 vende arabe “në masë dërrmuese janë kundër këtij grupimi dhe besojnë se do të dështojë”. 50% prej të anketuarve e quajnë ISIS pengesën kryesore të Lindjes së Mesme.

Megjithatë, analisti Gartenstein-Ross paralajmëron se mund të duhen humbje të tjera për t’iu kundërvënë retorikës së ISIS për zgjerim të vazhdueshëm, sidomos nëse ky grupim vazhdon sulmet terroriste jashtë Irakut dhe Sirisë.

“Për sa kohë që kontrollojnë territor, ata do të jenë në gjendje të influencojnë tek një kryengritje globale xhihadiste,” paralajmëron Haras Rafiq, drejtor i Fondacionit Quilliam, një organizatë anti-terroriste me seli në Londër.

Pikërisht ai është çelësi i jehonës së ISIS që ndjehet edhe në Perëndim.

XS
SM
MD
LG