Lidhje

Obama: Do të ketë përparim të dukshëm në luftën kundër ISIS


Presidenti amerikan Barak Obama shprehu besimin se ata që kundërshtojnë Shtetin Islamik në fund të fundit do të triumfojnë ndaj tij, Në një intervistë për radio stacionin NPR të publikuar sot, ai tha se do të ketë "përparim domethënës" në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik deri në fund të mandatit të tij. Presidentit Obama i mbaron mandati në janar të vitit 2017.

Në intervistën për radion publike NPR presidenti Obama e quajti Shtetin Islamik një “organizatë të helmët simbol të së keqes”, por theksoi se dëmi më i madh që militantët do të mund t’u shkaktonin Shteteve të Bashkuara është nëse për shkak të frikës njerëzit do të ndryshonin vlerat dhe mënyrën e tyre të jetës.

"Është e rëndësishme t’i shohim gjërat në kontekst, kjo nuk është një organizatë që mund të shkatërrojë Shtetet e Bashkuara. Kjo nuk është një fuqi e madhe industriale që mund të paraqesë rreziqe të mëdha për ne në mënyrë institucionale apo sistematike. Por ata mund të na dëmtojnë ne, njerëzit tanë dhe familjet tona. Kështu që unë e kuptoj shqetësimin e njerëzve".

Më shumë se një vit më parë presidenti Obama autorizoi fillimin e një fushate ajrore ndaj militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.

Që atëherë, aeroplanët e koalicionit kanë kryer rreth 9000 sulme ajrore, dhe presidenti Obama thotë se Shtetit Islamik ka humbur 40 për qind të territorit të që dikur e kontrollonte.

Por militantët vazhdojnë të mbajnë nën kontroll zona të mëdha, duke përfshirë qytete të mëdha në Siri dhe Irak, duke shkaktuar kritika ndaj përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara kundër Shtetit Islamik, dhe thirrje për dërgimin e trupave tokësore amerikane.

Presidenti thotë në intervistën e tij për NPR-in se ka "kritika legjitime" ndaj mënyrës se si administrata e tij e ka trajtuar fushatën kundër Shtetit Islamik, duke thënë se kjo mund të jetë për shkak të komunikimit jo të plotë mbi atë se çfarë është duke u bërë.

XS
SM
MD
LG