Lidhje

ISIS dhe plaçkitja e objekteve kulturore


Ekspertët thonë se Shteti Islamik po vjedh dhe po shet thesare kulturore nga Iraku dhe Siria në shkallë industriale. Shkatërrimi dhe shitja e këtyre thesareve lejohet dhe është institucionalizuar brenda territoreve të kontrolluara nga Shteti Islamik. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Jeff Swicord, thesaret kulturore kanë filluar të shfaqen në tregjet e antikiteteve në mbarë botën.

Në maj të vitit 2015, luftëtarët e Shtetit Islamik morën nën kontroll qytetin e lashtë sirian të Palmirës, i shpallur nga UNESCO si një vend i trashëgimisë botërore. Ky qytet që ndodhet në veri të Damaskut njihet për thesaret dhe rrënojat arkeologjike greke, romake dhe rrënojat persiane, dhe shumë njerëz ishin të frikësuar se ekstremistët do t’i shkatërronin ato.

Kur forcat siriane rimorën qytetin muajin e kaluar, ata panë se disa nga monumentet e famshme ishin shkatërruar, por shumë nga rrënojat e lashta janë ende të paprekura, megjithëse Shteti Islamik ka thënë se kishte plaçkitur varret e lashta të qytetit.

Ekspertët thonë se një nga arsyet për shkatërrimin e këtyre objekteve ka të bëjë me interpretimin e ngushtë të historisë nga grupi ekstremist.

"Ata do të thoshin se po rikthejnë islamin e vërtetë. Atyre nuk u intereson historia para Muhammedit dhe nuk janë shumë të shqetësuar me saktësinë e historisë pas lindjes së tij", thotë Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins.

Interesi i Shtetit Islamik në vend është më tepër se thjesht i natyrës fetare, thotë Deborah Lehr, kryetare e Koalicionit të Antikiteteve në Uashington.

"Ata e kanë kuptuar se shkatërrimi i kulturës mund të përdoret për frikësimin e popullsisë lokale dhe vjedhja e monumenteve kulturore dhe shitja e tyre mund të përdoret për mbledhjen e fondeve për kauzën e tyre".

Zonja Lehr thotë se Shteti Islamik e kupton vlerën globale propagandistike që shkatërrimi i një trashëgimie të çmuar kulturore ka, siç është dëshmuar në rastin e plaçkitjes së Muzeut të Mosulit në Irak, që u transmetua nga të gjitha mediat botërore.

"Videoja që tregon sulmin ndaj muzeut të Mosulit, e postuar në YouTube, ka tërhequr më shumë vëmendje se çdo gjë tjetër," thotë zonja Lehr.

Ekziston edhe motivi financiar. Shteti Islamik ka krijuar një ministri të antikitetit për "industrializimin" e plaçkitjes dhe shitjes së thesareve.

"Kjo po inkurajon njerëzit që të gjejnë dhe gërmojnë objekte të vjetra. Dhe kjo është për të ardhur keq, sepse shumë nga këta njerëz nuk janë arkeologë të trajnuar, kështu që ne jo vetëm se humbasim thesarin, por edhe gjithë kontekstin e gjetjes së tyre," thotë zonja Lehr.

Sipas ligjit ndërkombëtar, shkatërrimi i objekteve antike kulturore është një krim lufte. Dhe autoritetet shpresojnë se një ditë ata do të jenë në gjendje të ndjekin penalisht anëtarët e Shtetit Islamik për krimet e tyre.

XS
SM
MD
LG